Mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt nuk është gati për ta mbyllur çështjen: Ka një problem

Periskopi.com Lajme

Mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj nuk është gati për të mbyllur çështjen me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarit të fundit, kanë bërë të ditur avokatët e dy të akuzuarve që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Mbrojtja e Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se do të dorëzojnë gjatë ditës mocion lidhur me procesin e nxjerrjes së materialeve.

“Mbrojtja nuk është gati për ta mbyllur, ka ngelur një problem për nxjerrjen e materialeve që nuk është zgjedhur, na janë dhënë udhëzime për të ju përgjigjur në hollësi afatit kohor dhe kjo është ora e katërt e ditës së sotme dhe ne do ti përgjigjemi përpara orës 16:00 siç na është udhëzuar, më pas do të duhet të presim vendimi ne trupit gjykues. Nëse jepet urdhër për t’i nxjerrë këto materiale atëherë do të shqyrtojmë se çfarë hapa të tjerë do të marrim, nëse refuzohet nxjerrja atëherë do të kërkojmë të drejtën për ta apeluar, do të shqyrtojmë mundësinë për ta apeluar, në këtë fazë ne nuk do ta paragjykojmë përfundimin këtij procesi, do të presim cili do të jetë vendimi për këtë kundërshtim që kemi bërë për çështjen e nxjerrjes”, ka thënë avokati Rees.

Gjatë seancës në Hagë, ai ka thënë se nuk janë në gjendje të parashikojnë sot nëse çështja e mbrojtjes do të mund të mbyllet me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarit të fundit.

Ndërsa kryetari i turpit gjykues, Charles Smith ka thënë se këtë do të mund ta bëjnë të hënën kur do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjen.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.