Mbrojtja e Kadri Veselit: Prokuroria duhet të ketë një vit kohë për të paraqitur rastin

Mbrojtja e Kadri Veselit: Prokuroria duhet të ketë një vit kohë për të paraqitur rastin

Përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou, mbrojtja e Kadri Veselit, ka thënë se Prokuroria duhet të ketë një vit kohë për të paraqitur rastin e saj.

“Mbrojtja ka propozuar që ZPS duhet   të ketë një vit kohë për të paraqitur rastin e saj me një zgjatje të mundshme prej tre muajsh për vonesa të paparashikuara. Sipas mbrojtjes, ZPS  nuk ka treguar një kornizë kohore që beson se do të ishte e përshtatshme për rastin e saj, por thekson se është duke rishikuar listën e dëshmitarëve dhe vlerësimet kohore dhe do të informojë mbrojtjen për vendimet e tyre”, thuhet nga Ben Emmerson, avokat i Veselit.

Në këtë shkresë thuhet se propozimi i mbrojtjes do të rezultonte në një gjyq prej dy deri në tre vjet dhe një fazë gjyqi totale prej katër deri në pesë vjet, në varësi të nëse përdoren periudhat e zgjatjes dhe ndonjë ndërprerje midis rasteve të ZPS-së  dhe mbrojtjes.

“ Mbrojtja pohon se 12-15 muaj i ofrojnë ZPS-së mundësi të mjaftueshme për të ngritur një rast kundër të akuzuarve. Për më tepër, nëse nuk mund të bëhet brenda këtij afati kohor, ka shumë pak gjasa që tërheqja e mëtejshme e procedurave do t’i shërbejë interesave të dikujt”, thuhet tutje.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: