Metodë e re: Holandezët iu mëshojnë sa munden veturave për ta hequr nervozën

Metodë e re: Holandezët iu mëshojnë sa munden veturave për ta hequr nervozën

Vëllezërit binjakë, Steven e Brian Krijger, po zgërdhihen përderisa me radhë po shkatërrojnë një veturë të tipit “Peugeot 106”, në të cilën janë shkruar fjalët “FU** COVID”.

Ata po marrin pjesë në “CarSmash”, projekt që për synim e ka ofrimin e mënyrave të lirimit të zemërimit të banorëve, që është grumbulluar gjatë pandemisë që po hyn në vitin e tretë, shkruan Reuters.

Baret, restorantet e shumica e dyqaneve në Holandë janë mbyllur nga mesi i dhjetorit, kur hynë në fuqi masat kufizuese për t’i luftuar shifrat rekorde të rasteve me koronavirus. Qeveria nuk do t’i rishqyrtojë ato deri më 14 janar.

“Nuk ka asgjë për të bërë këtyre ditëve. Nuk mund të punojmë, sepse kemi një kafene dhe jemi të mbyllur. Prandaj, menduam se do të lironim një pjesë të zemërimit duke shkuar për të shkatërruar një veturë”, tha Brian, transmeton Expresi.

Merlijn Boshuizen, i cili e udhëheq projektin “CarSmash” në një varrezë veturash afër Amsterdamit, thotë se klientët fillojnë duke shkruar në veturë “diçka që është e pranishme në jetën e tyre” dhe e zgjedhin vetë veturën.

“Në minutën që ata fillojnë ta shkatërrojnë veturën, u kërkojmë atyre që t’i mbyllin sytë, që t’i ndiejnë këmbët në tokë, ta ndiejnë fuqinë, çdo venë të trupit, ta ndiejnë atë që janë duke e bërë dhe në atë mënyrë, të përpiqen që ta nxjerrin (të keqen) nga jeta e tyre”, tha ai.

 

Shpërndaje në: