Ministrja shqiptare në OKB: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohjen reciproke

Ministrja shqiptare në OKB: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohjen reciproke

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha në Nju Jork se sa më shpejt që të mbyllet me një marrëveshje kapitulli i bisedimeve Kosovë-Serbi, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Zonja Xhaçka udhëhoqi sesionin e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku Shqipëria është Presidente në këtë periudhë 1 deri në 30 qershor.

Në sesionin me temë “Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale (BE)”, ministrja Xhaçka theksoi se “dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili duhet të çojë në njohje reciproke”.
Ministrja falënderoi Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Jozef Borrell për siç tha “qartësinë e vazhdueshme në këtë kontekst”, referuar pritshmërisë që “Bashkimi Evropian të përshpejtojë përpjekjet e tij në lehtësimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të çojë në njohje reciproke. Është koha për të parë rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme. Sa më shpejt që të mbyllet ky kapitull me një marrëveshje, aq më mirë do të jetë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike apo ideologjike”, tha zonja Xhaçka.

Sipas saj, Bashkimi Evropian e ka dëshmuar prej kohësh dividentin e tij të paqes për 550 milionë qytetarët e tij, andaj theksoi se “ne e vlerësojmë dhe e dëshirojmë këtë shtrirje dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërkaq, ministrja vërejti gjithashtu se Shqipëria pret hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi “ne e kemi bërë pjesën tonë dhe jemi të gatshëm për kapitullin e ardhshëm, në një proces që duhet të shkojë përpara me peshën e tij të paçmuar politike, një investim pa kthim drejt stabilitetit, sigurisë dhe drejt një të ardhmeje të sigurt të përbashkët”./rtk

Shpërndaje në: