Mjaft!

Edmond Tupja Op-Ed

Po e pohoj qysh në krye të herës, të nderuara lexuese dhe lexues po aq të nderuar të kësaj rubrike të përjavshme e të pafajshme, se nuk e kam fjalën për shoqatën “Mjaft!” të shoqërisë civile ku para shumë vitesh shkëlqeu kryetari aktual i Bashkisë po aq aktuale të kryeqytetit tonë të betonuar e të përçudnuar, i cili kryetar themeloi më pas G-99-n, partizën (jo partuzën) ose më saktë partiçkën (më falni për mbaresën-içkë) e ideuar dhe e sendëzuar si shtojcë e Partisë Socialiste.

Jo, jo, tri herë jo! Fjalën e kam gjetiu. Ku? Te domosdoshmëria që zotit Kryeministër të mos i vishen më nga politikanët antagonistë të tij, as nga analistët, publicistët e të tjerë individë të paturpshëm e ziliqarë, nofka të tilla si sulltan, monark, tiran, despot, diktator, satrap ose ndonjë tjetër e ngjashme apo edhe më e rëndë. Pra, mjaft!

Mjaft sepse, duke u nisur nga disa burimesh të fshehta apo gjysmë të fshehta, ish-kolegu dhe miku im Françesk Armadhi më mësoi dje, tek po ktheheshim nga protesta gjigante me përmasa mirëfilli popullore në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, se zotin Kryeministër ato nofka jo vetëm nuk e bezdisin, por e nxitin edhe më shumë që të gëzohet organizativisht (pra, në nivel partie) e orgazmatikisht (në nivel intimiteti individual ose ndërindividual). Po, po, nuk ju kanë bërë sytë, të dashura lexuese e lexues po aq të dashur! Zoti Kryeministër lumturohet kur dëgjon se e cilësojnë:

1. Si sulltan, sepse ai me siguri ëndërron të jetë sulltani jo vetëm i gjithë trevave ballkanike shqipfolëse, por edhe i një pjese më të shtrirë të Ballkanit, për të bërë kështu realitet ëndrrën e jugosllavit Tito dhe të bullgarit Dimtrov në vitet 1945-1947 për krijimin e një konfederate ballkanike!

Nuk është rastësi afrimi i tij me turkun Erdogan, aq sa një rapsod popullor para një viti nxori një këngë me refrenin “Ballkani sot ka dy luanë / shqiptarin Rama / E turkun Erdogan!”, i cili refren i bën jehonë refrenit të dikurshëm që ilustronte miqësinë e pathyeshme shqiptaro-kineze të viteve 1961-1979: “Dy luanë ka sot bota / një nga Kina / Tjetri nga Evropa / Mao Ce-Duni dhe Enver Hoxha”.

2. Si monark, sepse me siguri ëndërron të hyjë në histori si Ahmet Zogu, i cili, falë një sërë reformash me frymë europerëndimore, e forcoi shtetin shqiptar, por edhe sepse është po aq shtatlartë e imponues sa Naltmadhnia e Tij.

Madje, me shumë gjasë, ai ëndërron që, ashtu siç i ndodhi mbretit Zog, t’i bëjnë në Kuvend ndonjë atentat jo me vezë, me miell apo me bojë, por me plumba (mësimorë, sigurisht, e jo prej vërteti) për ta përmendur gjithsesi si dëshmi burrërie në cv-n (jo wc-n) e tij.

3. Si tiran, sepse me siguri të jesh i pari i Shqipërisë me kryeqytet Tiranën, e meriton plotësisht epitetin “tiran”: A nuk tingëllon madhërishëm togfjalëshi “Tirani i Tiranës” siç e pati cilësuar disa dekada më parë Enver Hoxhën një gazetë franceze? Pastaj të mos harrojmë se fjala “tiran” vjen nga greqishtja e vjetër “turannos” përmes latinishtes “tyrannos” në kuptimin “zot”, çka, mund t’i lejojë zotit Kryeministër të hamendësojë se është me prejardhje greko-romake! Çfarë krenarie! Por kujdes: Romancieri i njohur francez Michel Tournier, të cilin zoti Rama mund ta ketë lexuar, shkruan diku se “Pushteti absolut i tiranit në fund e çmend absolutisht atë”.

4. Si despot, sepse me siguri, falë leximeve të rinisë së tij, zoti Rama duhet të jetë në dijeni të nocionit historik “despote éclairé”, d.m.th. “despot mendjendritur”, e thënë ndryshe, sundimtar me pushtet të pakufizuar dhe ithtar i filozofisë së ideve të ndritura në shekullin XVIII, çka i vjen fort për shtat zotërisë në fjalë, por, kujdes: Nuk duhet harruar mendimi i filozofit frëng Rousseau, pikërisht në shekullin XVIII, sipas të cilit “Despoti është zot vetëm për aq kohë sa është më i forti”, d.m.th. kur bie nga fiku, atë e merr lumi për ta shpënë në det, vajmedet!

5. Si diktator, sepse me siguri atë, pra, zotin Rama, e ngazëllen ideja që, të paktën sipas fjalorit frëngjisht “Le Petit Robert 1”, “diktatori është një person që, pasi e ka rrëmbyer pushtetin, e ushtron atë pa asnjë kontroll nga të tjerët”. Në fakt, zotëria në fjalë nuk e shpreh haptas këtë, por nga mënyra si sillet, si flet e si vepron, duket që ndihet krenar në këtë drejtim aq më tepër që epiteti “diktator” i kujton shokun Enver Hoxhën, i cili e bëri zap për gati dyzet vjet popullin shqiptar dhe nga bëmat e të cilit duket sikur ai, pra zoti Rama, frymëzohet herë pas here.

6. Si satrap, sepse me siguri, edhe ky epitet i kujton dashur, padashur shokun Enver Hoxha, i cili shpesh i bashkëngjiste mbretit

Zog mbiemrin “satrap”. Edhe pse ky epitet nuk e entuziazmon fort zotërinë në fjalë, ideja që do t’ia kishte shumë qejfi të konsiderohej nga shumëkush, përmes “Rilindjes mavi”, si një personalitet shtetformues po aq i suksesshëm sa Naltmadhnia e Tij dhe Udhëheqësi i P.P.SH-së, duket sikur ia miklon sedrën delirante, qoftë edhe sikur t’i ngjisin në mënyrë të pashqitshme epitetin “satrap” si një fjalë të vetme dhe aspak të ndarë në dy rrokje: “Sa trap!”.

Si përfundim, të shtrenjta lexuese e lexues po aq të shtrenjtë të kësaj rubrike, a nuk është më e udhës që nofkat e lartpërmendura të mos përmenden si ndajshtime të emrit apo të mbiemrit të zotit Rama, sepse do ta dehnin e do ta kallnin në ekstazë duke e ngritur deri në qiellin e shtatë, ku mund të hallakatej e të kuturisej në ndonjë vrimë të zezë për të mos u kthyer kurrë më në Shqipërinë tonë të mrekulluar nga qeverisja e tij qelibar e qenësisht madhështore?

Shpërndaje në: