Mogherini: Takimi Thaçi-Vuçiq ishte produktiv
Pas takimit që zgjati pothuajse katër orë, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe përfaqësueses së lartë të Brukselit, Federica Mogherini, ka ardhur dhe njoftimi zyrtar i Bruskelit, raporton Periskopi.
Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare, thuhet se diskutimi ka qenë mjaft intenziv dhe produktiv për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e Mogherinit, Thaçi e Vuçiq janë marrë vesh që të intensifikojnë takimet dhe punën ditët në vazhdim.
Njoftimi zyrtar i Bruskelit për takimin Thaçi-Vuçiq në Bruskel:
Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë / Nënkryetari i Komisionit Evropian, priti sot në Bruksel një takim të nivelit të lartë të dialogut të lehtësuar nga BE me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Përfaqësuessja e Lartë dhe Presidentët patën një diskutim intensiv dhe produktiv mbi kuadrin e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Ata ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme.



