Mungesa e sigurimit shëndetësor në Kosovë, një katastrofë
Qendra për Hulumtim, Dokumentin dhe Publik ka prezantuar sot punimin “”Destabiliteti politik në Kosovë – Implikimet për sigurinë humane të popullatës”, nga i cili ka rezultuar se në Kosovë nuk ka qytetarë aktiv për shkak të mungesës së sigurisë njerëzore.
Drejtoresha e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, Besa Kabash-Ramaj tha se pjesërisht demokracia në vend ka dështuar në disa sfera për shkak të mungesës së qytetarëve aktiv.
“Nuk ka demokraci pa qytetarë aktiv, nuk ka dhe pjesërisht demokracia në vend ka dështuar muj me thanë në disa sfera për shkak se nuk kemi pasur qytetarë aktiv, por jo me fajin e tyre sepse nuk mundet me pas një shtet qytetar aktiv pa pasur siguri njerëzore. Të jem e qartë kur flasim për siguri njerëzore flasim për sigurinë ekonomike dhe sigurinë në punë, jo sigurinë publike për lëndime në punë por sigurinë në aspektin se sa ke qasje në punësim”, tha ajo.
Më tej ajo tha se Kosova pa e kaluar hendekun e sigurisë njerëzore do të ketë mungesë të qytetarëve aktivë sidhe zhvillim të demokracisë. Madje sipas saj kjo do të ndikojë edhe në mospasjen e politikanëve të ndershëm .
Kabashi Rama tha se deri tani në Kosovë nuk është bërë asnjë hulumtim se si ndihet qytetari i Kosovës dhe si rezultat nuk ka zgjidhje për problemet e mirëqenies së qytetarit.
“Në përgjithësi qasja vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë pas luftës ka qenë me gjet zgjedhje afat shkurte short term solutions, mirëpo e keqja e kësaj ka qenë që ende për problemet e mëdha që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarit të Republikës së Kosovës nuk kemi pasur një qasje ku në fakt mirret parasysh mendimi dhe mënyra se si ndihet qytetari në mënyrë direkte jo indirekte, jo na lartë poshtë, por nga poshtë lartë dhe si rezultat nuk ka zgjidhje për problemet me shumë rëndësi për mirëqenien e qytetarit”, shtoi më tej Kabashi-Ramaj.



