Nagavci e VV-së lavdëron Osmanin por nuk përjashton që mund ta shkarkojnë si kryetare Kuvendi

Nagavci e VV-së lavdëron Osmanin por nuk përjashton që mund ta shkarkojnë si kryetare Kuvendi

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka vendosur nëse do t’i kërkojë dorëheqjen nga posti i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit. Përkundër që shprehën fjalë të mira për punën e kryeparlamentares, në partinë e Albin Kurtit thonë se për këtë post do të diskutohet në kryesi dhe pastaj të veprohet tutje.

Derisa nga shoqëria civile pohojnë se posti i kryetarit të Kuvendit mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk dihet a i takon automatikisht grupit më të madh parlamentar pas konstituimit të Kuvendit.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci thotë  se kreu i legjislativit nuk mund të kontestohet se i takon partisë së saj.

“Në Lëvizje nuk e kemi diskutuar postin e kryeparlamentares. Ne ia vlen të përmendim që ka pasur një bashkëpunim shumë parimor. Një bashkëpunim që vërtet ka qenë i bazuar në parime dhe bindje tona që po punojmë në realizimin e synimit tonë… nëse ka një diskurs të tillë kjo tregon se në apetitet e tyre për të uzurpuar gjithçka kanë synim edhe në këtë drejtim. Është një çështje që nuk mund të kontestohet”, tha Nagavci.

Nga shoqëria Civile, Arbëresha Loxha thotë se posti i kryeparlamentares pas dorëheqjes ose shkarkimit të Vjosa Osmanit mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese./Periskopi/

Shpërndaje në: