Nagavci i drejtohet SBASHK-ut: Kërcënimet duhet të marrin fund

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavaci ka regaur në lidhje me paralajmërimin e SBASHK-ut se nëse mësimdhënësive nuk u paguhen shtesat, nuk do të mbahet mësimi plotësues.

Ajo ka thënë se kërcënimet duhet të marrin fund, derisa ka shtuar se çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.

Reagimi i plotë:

Pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit. Situata me Covid-19 ka bërë që shumë nxënës të pësojnë ngecje në mësime. Kjo është arsyeja që kemi marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për këta fëmijë.

Mësimi plotësues parashihet me legjislacionin në fuqi siç e kam thënë edhe në ditën kur e morëm këtë vendim. Këtu po e citoj Ligjin për Arsimin Para Universitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, Neni 8 paragrafi 6, nenpragrafi 6.3 ku thotë se ”në rast se vërehen mangësi në zbatimin e kurrikulumit, Ministria mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ”.

E mbaj mend kur unë isha nxënëse kemi mbajtur mësim shtues e plotësues e të njëjtën e kam praktikuar edhe vet sa kam qenë mësimdhënëse. Në kohën kur puna e mësimdhënësit është mbajtur me përgjegjësi, nuk ka pasur kërkesa për refuzim të mësimit plotësues. Unë njoh shumë mësimdhënës që edhe tash mbajnë mësim plotësues por fatkeqësisht jo të gjithë e bëjnë këtë.

Jam e vetëdijshme po ashtu, se kemi shumë mësimdhënës që me përgjegjësi të lartë e kryejnë detyrën e tyre dhe janë në shërbim të nxënësve duke i mbështetur si fëmijët talentë ashtu edhe ata që kanë vështirësi në të nxënë. Por, gjendjen në arsim nuk e kemi aspak të mirë dhe jo rastësisht jemi në një situatë të tillë. Ndikimet partiake e vendimet e nënshkruara në kohë fushatash janë arsyeja kryesore që e kanë degraduar arsimin.

Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund.

Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për ata fëmijë që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe. Çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.

Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune.

Shpërndaje në: