Nagavci reagon pas aksionit në shkollat e Ferizajt, tregoi nevojën urgjente për reflektim në shoqëri

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka falenderuar Policinë e Kosovës për aksionin e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës.

Në një reagim në Facebook, Nagavci ka theksuar se siguria e fëmijëve tanë, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë brenda shkollës dhe rreth saj, është çështje që kërkon vëmendjen e secilit.

Nagavci ka shkruar se nga aksioni në shkollat e Ferizajt, shihet nevoja urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë.

“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”.

Megjithatë, roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë. Por, menaxhmentet e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve, ka shkruar ministrja e MAShTI-së.

“Ne jemi duke punuar të bëjmë ndryshime strukturore në sistemi edukativ dhe arsimor, po fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Duke qenë e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta. Një raport më i afërt institucion dhe familje jam e bindur se do ta përmirësojë këtë gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë”.

“Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!”, përfundon postimi i ministres Nagavci.