Në pritje të Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar paligjshëm

Në pritje të Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar paligjshëm

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, i cili do të përdoret për verifikimin dhe konfiskimin e të dënuarve për 16 vepra penale, duke nisur nga të dënuarit për korrupsion, e deri tek ata që kanë bërë vepër penale për ambientin.

Nëse ky projektligj votohet i tillë, siç e ka propozuar Ministria e Drejtësisë, atëherë pasi një i pandehur shpallet fajtor për një vepër penale të përcaktuar, Prokurori i shtetit, bën një kërkesë të veçantë në gjykatën e cila e ka nxjerrë aktgjykimin dhe mund të kërkojë verifikimin e pasurisë brenda periudhës pesë-vjeçare, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, e më pas ta konfiskojë atë, raporton KTV.

Por, paralelisht me të edhe Vetëvendosja propozoi një projektligj tjetër, i cili në fakt pretendonte të rregullonte çështjen e verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme, të cilat nuk i prek projektligji i Ministrisë së Drejtësisë.

Albert Krasniqi nga KDI-ja, thotë se do të duhej të ishte më e efektshme të bëhej një ligj i vetëm dhe të ekzistonte një koordinim më i mirë ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit.

Por, puna e tyre u hodh poshtë, pasi për dallim nga projektligji për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, këtu barra e provës ishte paraparë të bjerë në të pandehurin.

Sipas deputetëve, rreziku ishte në faktin se ai krijon situata që ai të keqpërdoret nga njerëzit e pushtetshëm, për t’i përndjekur kundërshtarët politikë.

Edhe sipas Shoqërisë Civile, nuk është i pranueshëm një ndërrim i tillë i sistemit të drejtësisë.

Në termat juridikë, ekzistojnë 3 sisteme të konfiskimit të pasurisë, konfiskimi penal, civil dhe miks.

Sipas Arton Demahasajt, Kosova do të ishte mirë të zgjidhte versionin miks, për shkak të specifikave në të cilat po kalon vendi.

Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë ka qenë një ndër kërkesat e BE-së për procesin e liberalizimit të vizave.

Shpërndaje në: