Në Serbi fillojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Në Serbi fillojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nga sot është filluar me gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në afërsi të minierës në Shtaval, afër Sijenicës në Serbi.

Delegacioni i Kosovës ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë të ndajnë çdo informatë që mund të kenë në arkivat e tyre, por edhe informatat e siguruara ndërkohë për këtë lokacion, duke theksuar se familjet vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur dhunshëm gjatë luftës.

Gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive.

Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, të pranishëm në lokacion nga Kosova ishin përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si dhe nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.

Ekspertët mjekoligjorë të Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në lokacion për t’i vëzhguar punimet gjatë periudhës në vijim.

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në: