Në shkollat që janë qendra votimi, të hënën mbahet mësimi online

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministër i Arsimit, Dukagjin Pipovci në një konferencë për media tregoi se si do të zhvillohet mësimi një ditë pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën.

Ai tha se në shkollat që janë qendra votimi, mësimi do të mbahet online, transmeton Klankosova.tv.

“Të dielën do të mbahen zgjedhjet lokale dhe një numër i konsiderueshëm i shkollave janë qendra të votimit, kështu që me datën 18 tetor duke marrë parasysh kushtet e pandemisë është vendosur që në këto shkolla që janë qendra votimi të punohet me skenarin C, pra me anë të mësimit në distancë”, tha Pupovci.

Ai gjithashtu tha se në shkollat e tjera mësimi do të vazhdojnë rrjedhën normale.

“Shkollat e tjera të cilat nuk janë qendra të votimit vazhdojnë punën e tyre normalisht sipas planifikimeve paraprake, ndërkaq me datën 19 tetor besojmë se mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat pa ndonjë dallim”, u shpreh ai.

Tutje, Pupovci tha  se ekziston një obligim i drejtorive komunale të arsimit që t’i dezinfektojnë këto hapësira dhe t’i ajrosin mirë në mënyrë që ato të jenë të sigurta për nxënësit dhe mësimëdhënësit.