Në Washington SHBA-ja lanson lëvizjen botërore për lirinë fetare – vendos sanksione!

Në Washington SHBA-ja lanson lëvizjen botërore për lirinë fetare – vendos sanksione!

Nga: Driton Krasniqi

Mund të ngjajë që një pjesë e konsiderueshme e njerëzve edhe mund të mos jenë në dijeni se liria fetare shtrihet mu në zemër të demokracisë amerikane. Amendamenti i parë i Kushtetutës së SHBA-së përcakton orientimin shtetëror se Kongresi nuk do të themelojë asnjë religjion dhe nuk do të kalojë asnjë ligj për ndalimin e ushtrimit të fesë. Kështu, liria fetare përbën themelin mbi të cilin janë ndërtuar dhe qedrojnë të gjitha liritë tjera njerëzore të shoqërisë amerikane.

Në këtë kuadër duhet parë se liria, begatia por edhe fuqia amerikane buron nga vizioni i etërve të kombit amerikan për ta nxitur zhvillimin e papenguar të besimit në tokën tyre, për të gjithë qytetarët e vet. Rrjedhimisht, qytetari amerikan has në vështirësi për ta kuptuar se si në një shtet ose shoqëri, qytetarët pengohen për ta ushtruar fenë ose se si një qeveri i diskriminon ata mbi bazën fetare. Presidenti Trump, në pritjen që u bëri në Shtëpinë e Bardhë të përndjekurve fetarë u shpreh se amerikanët gjithmonë e kanë kuptuar të drejtën e ushtrimit të fesë si liri të dhuruar nga Zoti e jo nga shteti.

Mu për këtë, Qeveria e SHBA-së thirri në Washington Ministerialin për Zhvillimin e Lirisë Fetare – më i madhi ndonjëherë në historinë e Departamentit Amerikan të Shtetit kushtuar ekskluzivisht kësaj lirie njerëzore. Rreth 1000 pjesëmarrës, përfaqësues të pothuaj të gjitha feve të ndryshme të botës, diskutuan rreth asaj që Ambasadori për Lirinë Fetare i SHBA-së z. Sam Brownback në çelje të samitit e quajti: Lansim të një lëvizjeje mbarëbotërore për lirinë fetare.

Ky është Ministeriali i dytë dhe historik, për ç’gjë jam krenar që u bëra pjesë e tij. Përfaqësues të Shtetit dhe të komuniteteve fetare të Kosovës janë përfaqësuar edhe në Ministerialin e parë ku është miratuar “Deklarata e Potomakut”. Ky dokument ju përkujton të gjitha shteteve detyrimin e lart që kanë si instrumenti mbrojtjës i lirisë fetare.

Bota e lirë e demokratike është thellë e tronditur nga dëshmitë rrënqethëse që vijnë prej shteteve të ndryshme në botë ku njerëzit përndjeken sepse i takojnë një feje tjetër. Kina kryen burgosje masive të myslimanëve Ujgur e Pakistani vret të Krishterët e ju shkatërron kishat. Rritja e antisemitizmit është po aq shqetësuese. Në një renditje më të ulët, por aspak të favorshme, janë ato shtete që pengojnë ndërtimin e kishave e varrezave për komunitetet fetare më të vogla ose që orvaten t’i ndalojnë përmes masave represive.

Nën udhëheqjen e SHBA-ve, drejtues politikë e fetarë nga mbarë bota po mobilizohen për ta mposhtur çdo trend në rritje të shkeljes së lirisë fetare. Duhet kujtuar se ka një Konventë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut të cilën Kosova, edhe pa qenë anëtare e OKB-së, e ka pranuar si vlerë univerzale. Sipas kësaj deklarate: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare”.

Fatkeqësisht shumë shtete po i shkelin rregullisht këto parime e vlera. Kjo e ka shtyrë vendin mik të Kosovës për ta integruar lirinë fetare me politikën e vet të jashtme. Sivjet SHBA-ja ndërmori hapin e parë sanksionues kundër zyrtarëve të lart të shtetit të Burmas për shkak të përsekutimit fetar kundër popullit të vet.

Republika e Kosovës është një shtet i ri por me popullatë të lashtë. Bibla thotë se apostulli Pal e kishte predikuar Ungjillin e Jezus Krishtit gjer në tokat e Ilirisë duke na privilegjuar ndër ata popuj që Ungjillin e kanë pranuar direkt nga apostujt. Por, ndër shekuj populli ynë ka përjetuar shumë vuajtje ndërsa pushtuesit janë siguruar gjithmonë që në trevat tona t’i mbjellin edhe farat e fesë së tyre. Sidoqoftë, populli e ka ruajtur kujtesën për rrënjët e veta dhe e ka kultivuar traditën e bashkëjetesës mes feve. Trashëgimia e diversitetit fetar na ka shërbyer si lidhje e fortë e brendshme dhe masë e jashtme mbrojtëse. Duke mos ju frikësuar diversitetit fetar, populli shqiptar e ka përqafuar fortë tolerancën, jo si zbrapsje nga besimi, por si mbrotje e vëllaut.

Sot, Kosova e ka Kushtetutën shumë demokratike dhe të paanë në çështjet e fesë si dhe Ligjin për Lirinë e Fesë që garanton ushtrimin e fesë së individit dhe komunitetit. Gjatë këtij viti Qeveria e vendit e ka miratuar edhe vendimin për lirime për bashkësitë fetare të cilat synojnë të krijojnë vetëqendrueshmëri financiare.

Por, ne duhet parë realitetin dhe duhet identifikuar fushat në të cilat vendi ynë ka bërë ngecje sa i përket lirisë fetare, veçanërisht të komuniteteve më të vogla. Unë po përmend disa prej veprimeve të cilat lehtë mund ta dëmotojnë Republikën tonë të dashur.

  1. Kushtetuta jonë është e paanë në çështje të fesë dhe precizon se nuk ka fe zyrtare, por, vetëm bashkësi të caktuara fetare kanë pranuar fonde nga shteti.
  2. Parlamenti i Republikës e ka miratuar Ligjin për Lirinë e Fesë më 2006, por, që atëherë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të asnjë legjislature nuk e kanë pasur guximin qytetar për t’i kaluar amendamentet e këtij ligji.
  3. Edhe pse që nga pas lufta Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës në vazhdimësi e ka përsëritur kërkesën për rregullimin e çështjes së varrezave, saga e varrezave protestante vazhdon.
  4. Përkundër faktit se legjislacioni tatimor është mjaft i qartë, bëhen orvatje të ndryshme për ndërmarrjen e masave represive tatimore kundër komunitetit protestant.
  5. Ndonëse shtet sekular, shpesh herë zyrtar të caktuar shtetëror e kanë luajtur rolin e klerikut fetar në njërën anë si dhe kanë shfaqur tendenca të mohimit të ekzistencës së bashkësive tjera fetare.

Liria vjen si pako dhe askush nuk duhet ta ushtrojë lirinë e vet në dëm të lirisë së tjetrit. Një fe shumicë në një shtet mund të jetë komunitet fetar pakicë në një shtet tjetër. Ka qenë thirrje imja e përsëritur që ndërsa po ndërtojmë shtetin, të krijojmë lidhje të pakëputura me kombet që i kanë ndërtuar lirinë fetare si themel të lirive tjera si dhe t’i përvetësojmë praktikat e tyre më të mira. Sekretari i Shtetit z. Mike Pompeo në fjalimin e tij u tregua i prerë se SHBA-ja nuk do të tërhiqet nga mbrojtja e lirisë fetare.

Shoqëria jonë duhet mobilizuar për luftimin e atyre dukurive i bëjnë dëm vendit tonë duke ja rrezikuar të ardhmen brezave. Le të ndërtojmë bashkërisht një shoqëri ku mëkati – diksriminimi e urrejtja – nuk do të lejohen të triumfojnë kundër së mirës – bashkëjetesës e respektit të ndërsjellë! Qeveria e Republikës së Kosovës, pavarësisht kush vjen në krye të saj dhe pavarësisht bindjeve politike fetare të saj, duhet të shfaq maturi të thellë e veprime konkrete në funksion të kultivimit të bashkëjetesës fetare. Nuk duhet harruar asnjëherë se adhurimi i Zotit është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e mandatuar nga vetë Perëndia. Me një vizion të tillë të qartë, Kosova nuk do të vijojmë Ministerialet e ardhshme me retorika politike paushalle por si shtet shembullor.

Shpërndaje në: