Nënshtrimi ndaj Vuçiqit

Nënshtrimi ndaj Vuçiqit

Partitë opozitare dhe analistët politikë thonë se kryeministri, Aleksandër Vuçiq, me deklaratat se “Trepça” dhe Ujmani janë asete të Serbisë ka ndërhyrë në sovranitetin e Kosovës. Prandaj, sipas tyre, Vuçiqit në të ardhmen nuk duhet t’i lejohet hyrja në vend, të cilën gjë nuk e ka bërë deri më tani Qeveria e Kosovës
Ndonëse i është dhënë leja për t’i vizituar komunat veriore të vendit, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk respektoi shtetin e Kosovës. Ai bëri deklarata politike, duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës. Vuçiq tha se gjiganti metalurgjik “Trepça” është e Serbisë dhe se do të diskutohet për të në Bruksel sikurse edhe për liqenin e Gazivodës, që, sipas tij, nuk është e Kosovës.
Por, deklaratat e këtilla të Vuçiqit për kreun e Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, nuk janë serioze dhe se nuk duhet t’i jepet peshë e madhe.
Megjithatë, përfaqësues të partive opozitare dhe analistët politikë në vend thonë se kjo ishte ndërhyrje në sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Madje, sipas tyre, secili që cenon integritetin e shtetit duhet të largohet e të mos lejohet të hyjë më në Kosovë./Zeri/

Shpërndaje në: