Nëntogeri i FSK’së tregon historinë prekëse se si i ra babai dëshmor

Nëntogeri i FSK’së tregon historinë prekëse se si i ra babai dëshmor

Nëntogeri i FSK-së Leotrim Mëziu ka treguar në emisionin DPT te Fidani në T7 se si babai i tij Rifat Mëziu kishte rënë dëshmor në pritën që i ishte bërë ushtarëve të UÇK-së që po sillnin armatim nga Shqipëria në Kosovë.

Në pritën që i ishte bërë në Pashtrik, në mesin e një dimri të acartë, kishin rënë dëshmorë 41 ushtarë të UÇK-së. Ata po sillnin armatimin më të sofistikuar që ishte sjellë në Kosovë deri atëherë për ushtarët shqiptarë që po luftonin kundër regjimit pushtues serb.

Mëziu tregon nga bisedat me shokët e babait se si ai ra dëshmor.

“Para se me shku te ajo, shumë prej shokëve të tij më treguan se si shkoi të marrë armë në Shqipëri e kështu. Cdo bisedë me të ishte se si të marrin armë më vonë. Si të bëheshin më shumë dëme armikut. U bë një grup prej Drenice dhe shkuan në Shqipëri që të armatosen. Ishin me Mujë Krasniqin. Nisen më 13 dhjetor me shumë armatim. Në kohë të acartë. Duke qenë ushtarak vet e di atë ndjenjë dhe vullnetin për atdheun. Cfare vullneti që të ngjiten Bjeshkës së Pashtrikut me tërë atë armatim. Është e paimagjinueshme”, tregon ai.

“Ka rënë më 14 dhjetor. Në Pashtrik të Likenit të Hasit. Ka qenë zv. Komandant i atij grupi prej 140 ushtarëve. Gjithmonë po ju referohem kolegëve të babit. Me shumë shokë të tij. Prej të gjitha viseve të Kosovës. Ka qenë armatimi më i sofistikuar që është futur deri atëherë. Me borën që ka kaluar mbi 1 metër. Mundem me thënë se ishte shumë vështirë dhe kanë qenë njerëz të zgjedhur ata që kanë rënë dëshmorë”, shtoi ai.

Shpërndaje në: