Nga tymi i Obiliqit tek ëndrra për Euro 2020, si u shndërrua Kosova në ‘Brazil të Ballkanit’ brenda dy viteve

Nga tymi i Obiliqit tek ëndrra për Euro 2020, si u shndërrua Kosova në ‘Brazil të Ballkanit’ brenda dy viteve

Kombëtarja e Kosovës bëri një ndryshim prej 180 shkallëve brenda një periudhe kohore prej 2 vitesh.

Kosova e mbylli vitin 2018 si Kombëtarja e vetme pa humbje në botë, dhe duhet kujtuar që ‘Dardanët’ disfatën e fundit e kanë pësuar saktësisht para 494 ditësh nga Islanda me rezultat 2-0, ndeshje e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës ‘Rusia 2018’, raporton Periskopi.

Për Kombëtaren e Kosovës viti 2018 do të mbahet mend gjatë për sukseset e arritura, por gjëja më interesante është ndryshimi i shpejt që i ndodhi brenda vetëm 2 viteve.

Në vitin 2016 Kosova konsiderohej si një Kombëtare modeste dhe çdo kundërshtarë mund ta mposhte atë pa ndonjë problem, por tani të gjithë po e cilësojnë Kosovën si ‘Brazil të Ballkanit’.

Çfarë ndodhi me Kombëtaren e Kosovës nga viti 2016 deri më sot?

Kosova u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s më 13 maj 2016, ndërsa më 5 shtator luajti ndeshjen e parë për kualifikimet e Kupës së Botës ndaj Finlandës ku edhe befasoi të gjithë duke nxjerrur një barazim 1-1 në Helsinki, por që nga ajo përballje të përzgjedhurit e Albert Bunjakit në 9 takimet e radhës pësojnë po aq disfata.

Turqia, Islanda, Ukraina, Kroacia e Finlanda, të gjitha këto Kombëtare mposhtën Kosovën në kampanjën e parë kualifikuese për një kompeticion të rëndësishëm si kualifikimet e Kupës së Botës.

Kosova në këto kualifikime shënoi vetëm 3 herë dhe pësoi plotë 24 gola.

Por, duhet pranuar se lojtarët e Kombëtares së Kosovës kanë sakrifikuar shumë gjatë këtyre kualifikimeve. Ata nuk kishin as një stadium që do t’ua plotësonte kushtet për t’u stërvitur mirë, derisa ndeshjet i zhvillonin në Shkodër.

Futbollistët stërvitjet i kryenin në stadiumin e Kek-ut, ku vetëm pak metra nga stadiumi shihej tymi nga termocentralet e Obiliqit.

E për fushën askush nuk kujdesej, ajo ishte aq e fortë dhe aspak e ujitur gjë që bënte që 3 apo 4 lojtarë të lëndoheshin vetëm në stërvitje shkaku i terrenit të papërshtatshëm.

Madje, vetë futbollisti kosovar, Besar Halimi ka treguar se kishte edhe lopë në stadiumet ku Kombëtarja kryente stërvitjet.

Halimi e tregoi këtë ngjarje për portalin e njohur ‘Goal’ kur u pyet se “Cila ishte ngjarja më e çmendur që i ka ndodhur me Kombëtaren e Kosovës?“.

“Pra, para se të fillonim stërvitjen, duhej t’i hiqnim lopët nga fusha”, rrëfeu mesfushori kosovar, teksa qeshte me ngjarjen që po e tregonte për ‘Goal’.

E gjëja që dhemb më së shumti është fakti kur e kujton se lojtarët ndërroheshin në hotel dhe në stadium gjithçka që bënin është t’i mbathnin këpucët dhe të fillonin stërvitjet në gjendje të mjerueshme. Ata kurrë nuk u ankuan edhe pse kishin të drejtë. Shëndeti i tyre rrezikohej nga tymi i termocentraleve dhe fusha e cila nuk kishte as kushte elementare, por pavarësisht kësaj ata kurrë nuk u ndalën.

Lojtarët e Kosovës meritojnë një respekt shumë të madh për sakfrificat që bën gjatë kësaj periudhe, derisa ditët më të mira për ta do të vinin në vitin 2018, kur do të fillonin që të luanin në stadiumin mitik ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Albert Bunjaki pas përfundimit të kualifikimeve të Kupës së Botës ‘Rusia 2018’ dha dorëheqje dhe Kosova po kërkonte pasuesin e tij, i cili doli të jetë shumë i qëlluar.

Bernard Challandes më 2 mars të vitit 2018 merr drejtimin e Kosovës dhe nga kjo ditë ‘Dardanët’ në çdo ndeshje festuan.

Challandes ndryshoi totalisht Kombëtaren e Kosovës, aq sa të tjerët filluan të na konsideronin si ‘Brazili i Ballkanit’.

Trajneri zviceran arriti që t’i menaxhonte me sukses yjet e Kosovës.

Ai u ka treguar të gjithëve se askush nuk guxon ta kushtëzojë Kosovën pasi Bersant Celina i kishte kërkuar atij llogari për mosaktivizimin në një ndeshje.

Challandes debutoi me Kosovën në një ndeshje miqësore kundër Madagaskarit ku ‘Dardanët’ triumfuan me rezultat minimal 1-0. Edhe në dy miqësoret e ardhshme Kosova realizon fitore ndaj Burkina Fasos[2-0] dhe Shqipërisë[3-0].

Kosova më pas hyri në Ligën e Kombeve me ambicie të mëdha, Challandes solli një frymë të re në Kombëtare dhe sukseset nuk ishin të rastësishme.

Ndeshjet më nuk i zhvilloi jashtë territorit të saj dhe stadiumi ‘Fadil Vokrri’ u shndërrua në ferr për kundërshtarët që do të vinin për të luajtur aty, përcjellë Periskopi.

Kosova ishte pjesë e Grupit të 3 në Ligën D, së bashku me Azerbajaxhnin, Maltën dhe Ishujt Faroe. Përfundoi e para në grup me 14 pikë, gjithashtu ishte Kombëtarja më efikase në këtë kompeticion duke shënuar 15 gola derisa pranoi vetëm 2.

‘Dardanët’ tani kanë siguruar fazën e play-offit ku në gjysmëfinale do të luajnë me Maqedoninë, në mars të vitit 2020. Në rast të fitores atëherë Kosova në finale do të takohet me fituesin e ndeshjes Gjeorgji-Bjellorusi. Me një fitore eventuale në finale Kosova do ta prente biletën për Euro 2020.

Kosova është vetëm dy ndeshje larg që të shkruajë historinë duke u kualifikuar në një kompeticion si Kampionati Evropian vetëm pak vite pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Por, Kosova ka edhe një mundësi tjetër për kualifikim për në Euro 2020, me anë të eliminatorëve. Më 2 dhjetor në Dublin të Irlandës u hodh shorti për eliminatoret e Euro 2020 me Kosovën që u rendit në Grupin A me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Sot Kombëtarja e Kosovës luan ndeshjen e parë të kualifikimeve për Euro 2020, ku në stadiumin Fadil Vokrri e pret Bullgarinë.

Dikur lojtarët që nuk kishin as edhe një stadium për të kryer punën e tyre dhe stërviteshin në praninë e lopëve kanë mundësinë e artë që t’i tregojnë botës se Kosova është një vend i vogël, por me talentë të mëdhenj dhe se një kualifikim në Euro 2020 nuk do të ishte rastësti, por rezultat i sakrificës dhe punës së madhe të futbollistëve dhe stafit të Kombëtares. /Periskopi/

Shpërndaje në: