Një muaj paraburgim për kanosje

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja.

I dyshuari më datë 21 janar, në Prizren, seriozisht e kanos punëtorin e gjykatës. Ai fillimisht tenton t’i vërsulet fizikisht, pastaj e ofendon me fjalë fyese dhe pastaj, i drejtohet me fjalët kanosëse “do t’ju vras edhe ty edhe gjyqtarët nëse bien kësi letra”.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku i pandehuri dyshohet se ka kryer formën më të rëndë të kualifikuar pasi ka kanosur personin zyrtar, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lidhur me ushtrimin e detyrës zyrtare duke e kanosur me jetë të dëmtuarin.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.