Oda e Avokatëve të Kosovës merr vendim për zgjerimin e bojkotimit ndaj disa institucioneve të vendit

Oda e Avokatëve të Kosovës merr vendim për zgjerimin e bojkotimit ndaj disa institucioneve të vendit

Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se sot Këshilli Drejtues ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën anëtarët e Këshillit diskutuan lidhur me gjendjen aktuale në OAK dhe anëtarësinë e saj.

Në këtë mbledhje u morën disa vendime:

Që të zgjerohet vendimi i Këshillit Drejtues i datës 03.02.2021 për bojkotimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që nga data 08.03.2021, do të bojkotohet edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe përfaqësimi në stacionet e Policisë së Regjionit të Prishtinës që përfshinë edhe stacionet në komunat në kuadër të Regjionit.

“Vendimin e shkruar OAK do t’ua dërgoj Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe anëtarësisë posa të formalizohet.

Përkundër faktit që Oda në vazhdimësi ka kërkuar nga institucioni i KPK që avokatët të mos kenë pengesa lidhur me qasjen në këto objekte dhe që avokatët të trajtohen dinjitetshëm, këto institucione nuk kanë vepruar konform kërkesave të OAK-së, për të mirën e avokatëve në ushtrimin e profesionit të tyre fisnik dhe kushtetues. OAK mbetet e përkushtuar që të bashkëpunoj me të gjitha institucionet në lehtësimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë mbledhje të Këshillit Drejtues morën pjesë:

1. Behar Ejupi – Kryetar,

2. Naim Rudari – Nënkryetar,

3. Ergjyment Barbullushi – Kryetar i DR Gjakovë

4. Fitim Shabani – Kryetar i DR Ferizaj

5. Flamur Ahmeti – Kryetar i DR Gjilan

6. Hajrip Krasniqi – Kryetar i DR Prizren

7. Xhevdet Halili – Anëtar nga jashtë (nëpërmjet platformës online)

“Vendimet e Këshillit Drejtues janë obligative, ku mos respektimi i tyre përbënë shkelje të rëndë disiplinore. Për avokatët që nuk kanë respektuar vendimin e datës 03.02.2021 të Këshillit Drejtues, është filluar procedurë disiplinore”, thuhet ndër të tjera.

Shpërndaje në: