Operatori kabllor nga Serbia zgjerohet pa leje në jug të Ibrit

Operatori kabllor nga Serbia zgjerohet pa leje në jug të Ibrit

Programi i televizionit N1, që është një nga programet e rralla televizive me qëndrim kritik ndaj autoriteteve në Serbi – në pronësi të The United Group – nuk mund të shihet më në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është pasojë e transaksionit të kryer nga MTS, një degë e Telekomit të Serbisë, që bleu të gjithë operatorët kabllorë që mbulonin komunat e banuara me serbë në jug të lumit Ibër.

Transaksioni u konfirmua më 7 tetor nga drejtori i Përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vlladimir Lluçiq. Ai deklaroi për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se MTS d.o.o., një degë e Telekomit të Serbisë, mori përsipër “të gjithë operatorët kabllorë në mjediset serbe në Kosovë”.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në vitin 2015, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Në krye të kësaj kompanie janë kryesisht njerëzit që janë të afërt me pushtetin aktual në Serbi, ndërkaq që Telekomi i Serbisë është themelues, me pjesëmarrje prej 100 për qind.

Pas blerjes, në vitin 2019 të të gjithë operatorëve kryesorë në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, e njëjta gjë tashmë është bërë me operatorët kabllorë që operojnë në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Por, Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) pretendon se MTS nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset me shumicë serbe në Kosovë dhe shton se kërkesa e fundit e operatorit Herc, për të transferuar kompetencat e saj në kompaninë MTS, nuk është miratuar.

A është MTS d.o.o operatori i vetëm?

Herc, që është një nga operatorët kabllor më të mëdhenj në anën jugore të lumit Ibër, javën e kaluar ia ka dorëzuar biznesin e saj kompanisë MTS d.o.o, e cila, përveç N1, e hoqi menjëherë nga oferta kanalin Nova S, i cili gjithashtu është në pronësi të The United Group.

Megjithatë, ky kanal i dytë, ndërkohë është kthyer dhe është i qasshëm për shikuesit në pjesën qendrore të Kosovës.

Në kompaninë Herc nuk kanë dashur që të japin kurrfarë deklarate për Radion Evropa e Lirë, me shpjegimin se “MTS d.o.o. tani është përgjegjës për të gjitha deklaratat”, edhe pse vetëm pak ditë më parë ata i thanë Radiotelevizionit lokal KIM-it nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, se kanalet N1 dhe Nova S ishin përjashtuar nga oferta për “shkaqe teknike”.

A është dhënë një leje?

Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se disa muaj më parë ajo mori një kërkesë nga operatori “BB Herc” me seli në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, për t’i transferuar pronësinë e saj operatorit MTS d.o.o, por ky komision ka theksuar që ajo “kërkesë u refuzua për shkak të dokumentacionit jo të plotë”.

Komisioni i Pavarur për Media pohon se MTS d.o.o. nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por se ekzistojnë edhe katër operatorë të tjerë të licencuar.

Nga ky komision theksojnë se Rregullorja për shpërndarjen e shërbimeve të mediave audio dhe audio-vizuale, përcakton që operatorët, pa kompensim, duhet t’i transmetojnë kanalet e shërbimeve publike, si dhe kanalet e tjera komerciale me transmetim tokësor, të cilat kanë statusin e transmetimit të detyrueshëm.

“Ofruesit e shërbimeve të mediave audio-vizuale me transmetim tokësor lokal dhe rajonal gëzojnë statusin e transmetimit të detyrueshëm përmes të gjithë operatorëve të shpërndarjes që veprojnë në atë komunë ose rajonin përkatës”, thotë nga KPM-ja./Teksti i plotë në REL/ 

 

Shpërndaje në: