Osmani – OKB’së: Përfundojani mandatin UNMIK’ut dhe shpenzoni paratë më mirë

Osmani – OKB’së: Përfundojani mandatin UNMIK’ut dhe shpenzoni paratë më mirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku po diskutohet mbi Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Presidentja Osmani ka thënë se është nder për të që të përfaësojë 22 vite pas luftës Kosovën në OKB, teksa dikur e shihte si refugjate këtë mbledhje.

“Para 22 vitesh kam dëgjuar takimet e OKB-së për fatin e Kombit tonë derisa kam qenë refugjate nga Ushtria e Serbisë. 22 vite më vonë si presidente kam privilegjin të përfaqësojë të gjithë popullin tim. Jam në gjendje që të qëndroj këtu për shkak të përkushtimit të popullit tonë dhe të shohim shtetin tonë që është i liruar, pavarur dhe sovran”, tha ajo.

Osmani tha se Kosova një ditë do të jetë pjesë e OKB-së.

“Dëshiroj të them një falënderim të mirëqenë, faleminderit nga populli i Kosovës. Tregimi jonë nuk ka përfunduar dhe potenciali jonë nuk ka përfunduar. Një ditë do të bashkohemi me ju në këtë tavolinë si pjesë e OKB-së. Sakrifica jonë ka qenë shumë e madhe që të kthehemi prapa”, tha Osmani.

Tutje, ajo tha se institucionet në Kosovë po punojnë që të kthejnë mirëqenien ekonomike në vend.

“Sot kosovarët besojnë që kemi gjithpërfshirje të barabartë dhe po punojmë që të kthejmë pritshmëritë në realitet. Besimi në institucione asnjëherë nuk ka qenë më i lartë. Kosova ka qenë njëra nga shtetet më demokratike në rajon. Kemi dyfishim në GDP”, tha ajo.

Ajo tutje shtoi se tregimi për Kosovën është tregim i popullit të saj.

“Marrëdhëniet politike shpresoj që të reflektojnë në ekzistencën ekonomike. Përveç se kemi administrime të vaksinave në Kosovë, Kosova jo veç që po vaksinon më së shpejti, ka kaluar regjionin dhe disa shtete të BE-së. Kosova është në një periudhë reformash për sundimin e ligjit. Tregimi për Kosovën gjithëherë ka qenë tregim i popullit të Kosovës”, tha ajo.

Në këtë kontekst, ajo përmendi medalistet e arta, Distria Krasniqin, Majlina Kelmendin e Nora Gjakovën.

“Sot është tregimi për tri femrat tona, Majlinda, Nora dhe Distria, tri medalistet tona të arta. Po ashtu edhe Fahrije Hoti në film, në “Sundance”. Po ashtu është Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës në luftë. Po ashtu është Saranda Bogujevci, që është nënkryetare e Kuvendit. Nga Dua Lipa tek Rita Ora, e gjithashtu tek akademikët dhe shkencëtarët. Shteti jonë është një prezentim i paqes dhe ushtarët tonë shërbejnë edhe në misione paqësore. Në mes të krizave shumë të mëdha, institucionet tona kanë hapur dyert për qytetarët e Afganistanit, si konfirmim që jemi të gatshëm të qëndrojmë me aletatët tanë. Si ish-refugjatë, askush s’e kupton më mirë vuajtjet e tyre. Kërkoj që të mbajmë mendjen dhe zemrën e hapur për Kosovën”, tha ajo.

Tutje, Osmani kërkoi që UNMIK-ut t’i përfundohet mandati, dhe OKB t’i shpenzojë më mirë paratë e saja.

“UNMIK-u është themeluar para 22 vitesh në rrethana të vështirë, në kohën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit ndaj popullit të Kosovës. Statusi final i Kosovës është përcaktuar njëherë e mirë më 17 shkurt 2008, dhe deklarata e pavarësisë ka qenë në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare”, tha presidentja.

“Nuk ka pasur ndonjë dispozitë të ligjeve ndërkombëtare, dhe i themi Serbisë që t’i respektojë ligjet ndërkombëtare. Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe me prosperitet të lartë dhe UNMIK-u jo vetëm që e ka zgjatur mandatin por është në kontraditë me GJND-në. E ftoj OBK-në që të shfrytëzoj buxhetin më mirë. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, është kampione e sigurisë në botë. Njerëzit e Kosovës janë ndërkombëtarë në zemrat e tyre”, tha Osmani.

Shpërndaje në: