Osmani: Të respektohen të drejtat pronësore

Osmani: Të respektohen të drejtat pronësore

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, kanë organizuar sot diskutimin me temën “Të drejtat pronësore dhe dhuna në familje”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se gjendja aktuale sa i përket trashëgimisë vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Ndërkohë që theksoi nevojën për fuqizimin ekonomik dhe respektimin e të drejtave pronësore.

Presidentja Osmani tha se të diskutosh për të drejtën pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore është parim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet themelore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen edhe të sigurta, por edhe të fuqishme.

Ajo tha se diskutimet fuqizojnë tutje përpjekjet për luftim të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

“Prona përbën një instrument të fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha. Gjendja aktuale sa i përket trashëgimisë vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Një përqindje e vogël nga prindërit trashëgohet nga vajzat. Barazia është e pamundur pa fuqizimin ekonomik e pa respektim të të drejtave pronësore. Kosova e ka një pako ligjeve që e rregullojnë këtë sferë. Numri i rasteve që raportojnë dhunën është rritur krahasuar me vitet e kaluara. Si presidente e vendit së bashku me institucionet e tjera do të angazhohem që gratë të mbrohen nga dhuna, kjo dhunë të eliminohet. I ftoj institucionet e drejtësisë që të trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj grave”, tha ajo.

Ajo tha de shumë raste të dhunës e vrasjeve ndaj grave do të mund të parandaloheshin nëse institucionet do të kishin kryer punën e tyre ashtu siç duhet e atëherë kur duhet.

Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Ëigemark, tha se si mision janë të përkushtuar për barazi gjinore. Derisa shtoi se lufta kundër dhunës me bazë gjinore ka vazhduar të jetë prioritet përgjatë mandateve te ndryshme të EULEX-it.

“Fakti se shumica e grave në Kosovë nuk i ushtrojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut mbi pronë është një prej shkaktarëve kryesor të dhunës në familje. Ndonëse gratë në Kosovë kanë të drejta ligjore për të qenë pronare të pronave, traditat patriarkale dhe normat sociale anakroniste i privojnë ato nga ushtrimi i këtyre të drejtave themelore. Faktet dhe statistikat flasin mjaftueshëm, vetëm 17 përqind e grave në Kosovë janë pronare te pronave, ndërsa vetëm 7 përqind e grave në Kosovë trashëgojnë pronë. Për t’i përkeqësuar gjërat, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronë duke thelluar kështu pabarazitë aktuale për sa i përket pronësisë së pronës. Rreth 19 përqind të grave në Kosovë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore apo të trashëgimisë, ndërsa rreth 38 përqind e burrave dhe 33 përqind e grave nuk mendojnë se gratë duhet të kenë mundësinë e trashëgimit të pronës nga familjet në të cilat janë lindur”, tha ai.

 

Shpërndaje në: