Pacientët e shtrirë nëpër spitale me COVID19 “pishman” që nuk e morën me kohë vaksinën

Pacientët e shtrirë nëpër spitale me COVID19 “pishman” që nuk e morën me kohë vaksinën

Ju lutëm vaksinohuni, është apeli i pacientit të pa vaksinuar i cili është i shtrirë në Klinikën Infektive 2 pranë Mjekësisë Sportive, i cili gjithçka që mund të bëjë në këto momente është të qëndrojë i shtrirë në shtrat i përlotur.

Ai thotë se është penduar që nuk është vaksinuar, pasi që ka manifestuar sëmundje të rëndë me virusin COVID-19.

“Unë jam i shtirë në klinik që tetë ditë, kam pas shumë temperaturë të lartë të cilën me zor kanë arrit me ma ndalë. Stafin e falënderojë shumë se ka qenë një sfidë që këta e kanë bërë për neve dhe me punën e tyre unë besoj që kom mu kthye shendosh e mirë në shpi. I vaksinuar nuk kam qenë ky është gabimi, i kom ra shumë pishman edhe pasi ta kryej këna mu vaksinuar komplet familja, apeli im kish me qenë te qytetarët mos me pas vetën qysh e kom pa unë veten një gjendje që nuk di as me përshkrua”, thotë për arbresh.info Skënder Zemaj nga Vushtrria.

I ulur e duke marr oksigjen është njëri ndër pacientet me COVID-19, i cili thotë se ka gabuar që nuk është vaksinuar me kohë.

“Nuk di më përshkruar sa vështir, ishalla nuk i bien kurrkujt, vaksinën nuk e kom marr veç deri sa po njoftomi ne po bahet atëherë pak vonë, por apët vonë nuk është kurrë, si te dal menjëherë kom me marr, apeli jem për qytetarët është që kujdes mbani distancën dhe vaksinohuni”, thotë ai.

Hyzire Kastrti, e shtrirë që dy javë tregon se sa vështir e me dhimbje i ka kaluar këto ditë, ajo lut qytetarët që mos të presin por të vaksinohen.
“Me dhimbje me probleme të frymëmarrjes e dhimbje gjoksi kam qenë, që dy javë jam e shtirë, vaksinën nuk e kam marr, por menjëherë kom me marr, pishman jam që nuk e kam marrë, le të vaksinohen ju kisha lut qytetarët hiq mos të presin më shumë”, thotë ajo.

Se e ka pasur të vështir të mbijetoj nga ky virus e thotë edhe pacienti Sherif Halili, duke apeluar tek qytetarët për vaksinim sa më parë.
“Që tri ditë jam kanë sëmur, më ka prek edhe në mushkëri ky virus, deri qitu kam ardhur 50 me 50 a po shpëtojë. Nuk kam qenë i vaksinuar si të kryej virusin vaksinën nëse më lejohet menjëherë kom me marrë. Ata që nuk janë vaksinuar deri tash le të vaksinohen”, thotë Sherif Halili.

Në këtë klinikë, ishin të shtrirë edhe pacientë të cilët janë infektuar me COVID-19, edhe pasi kanë marr dy doza të vaksinës, por sipas tyre e kanë përballuar më lehtë.

“Kam qenë i vaksinuara me dy doza, pas tre muajve më ra apet virusi, po vaksina më ka ndihmuar shumë me tejkaluar pak më lehtë”, kështu thotë Rifat Topalli.

Infermierë e mjekë shihen në shërbim të pacientëve, për aq sa ata mund t’iu dalin në ndihmë.

Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive Artan Ahmeti thotë se aktualisht janë 60 pacientë të hospitalizuar.

Sipas tij, katër pacientë janë me një dozë të vaksinuar, gjashtë pacientë me dy doza, dhe numri i të tjerëve janë të pa vaksinuar.

“Në Klinikën Infektive 2, në Mjekësinë Sportive, aktualisht e kemi një gjendje më të qetë, në krahasim më javët e kaluara, aktualisht i kemi 60 pacientë të hospitalizuar, numri më i madh i pacientëve të hospitalizuar në këtë klinik ka qenë deri në 119 pacientë. Shumica prej pacientëve janë në oksigjeno-terapi janë 10 pacientë në gjendje të rënd shëndetësore. Përgjithësi pacientet që i kemi pasur të hospitalizuar kanë qenë të pa vaksinuar, aktualisht prej tyre të 60-tëve, 4 pacientë i kemi me një dozë të vaksinuar, 6 pacientë me dy doza, ndërsa numri i t tjerëve është të pa vaksinuar”, thotë ai për arbresh.info duke apeluar qytetarët që të vaksinohen.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës vazhdon të përballet me numër të madh të pacientëve të shtrirë shkaku i problemeve shëndetësore si pasojë e infektimit me koronavirus.

Shpërndaje në: