Parakushti për t’u bërë i korruptuar dhe grabitës

Parakushti për t’u bërë i korruptuar dhe grabitës

Në një hulumtim të bërë në Mbretëri të Bashkuar para disa vitesh, doli që grabitjet e armatosura të shtëpive ndodhnin kryesisht në lagje ku banonin njerëz të shtresës së varfër ose të mesme të ulët. Pse? Sepse këta banorë nuk mund të investonin në sigurimin e pasurive sa të pasurit. S’ua mbërrinte. Dhe duke qenë se grabitësi nuk është Robin Hood, mik i të varfërve, atëherë natyrisht që sheh vetëm përfitimin dhe lehtësinë në kryerjen e veprës. Ata që s’kanë mjaftueshëm, lëre që vidhen nga sistemi kapitalist, nga politikanë e biznesmenë, por e pësojnë edhe nga grabitjet e armatosura.

Kosova është vend tepër i varfër. Më i varfri në Evropë, bashkë me Shqipërinë. Shumicës së njerëzve nuk ua mbërrin të investojnë në sigurimin e pasurive të tyre. Dhe natyrshëm, kjo i lë të ekspozuar ndaj këtij soji të kriminalitetit.

Një gazetë e afërt me Policinë e Kosovës sot raportoi që për 11 muaj ishin bërë 263 grabitje nëpër shtëpi, dyqane e banka të vendit.

Ky shtim i numrit të grabitjeve shenjon çjerrjen e solidaritetit të fabrikuar nga morali me karakter fisnor dhe vogëlsia gjeografike e vendit. Por, në anën tjetër shenjon edhe rritjen e vetëdijes mbi shtypjen.

Shkëputja e individëve nga fati kolektiv është një simptomë e kudovërejtshme që nga paslufta. Kosovarët janë në ikje. Në kërkim për t’u çlidhur nga fati i kombit. Te kjo ndikon edhe përjetimi subjektiv mbi varfërinë. Tash e një kohë, nuk u mjafton të kenë se çka të hanë e pinë. Ekzistojnë dëshira të forta që kërkojnë plotësim.

Një ndër format kryesore të ikjes është ajo fizike. Mijëra njerëz kanë ikur dhe mijëra të tjerë kanë provuar të ikin nga vendi drejt perëndimit. Natyrisht, atyre iu mungonte perspektiva individuale e prandaj as që e lodhnin kryet për kombin e ri, të cilit i vyenin sa më shumë njerëz për të luftuar për të drejtat e tyre. Një tjetër është ikja në ide prapakthyeke ose pa fijen e rëndësisë. Pastaj, ikja në atë që mund ta quajmë ‘mpirje e mendjes’. S’të intereson më asgjë. Bile, bëhesh cinik ndaj rezistuesve. Dhe fare në fund është ikja drejt korrupsionit. Ai që ka fat mund të jetë në ndonjë zyre të qeverisë apo të organizatave joqeveritare dhe të merresh me tenderë e donacione por ai që nuk ka mund të bëj edhe grabitje të armatosura.

Nejse. Numri i grabitjeve dhe grabitësve nuk është aq shqetësues sa është masa e korrupsionit dhe e numrit të njerëzve të korruptuar ose që janë të gatshëm të korruptohen. Por, të bëra bashkë këto me numrin e njerëzve mendje-mpirë, pastaj e njerëzve që kanë ikur apo që mësyjnë të ikin – shifra del alarmante. Askush s’e do vendin e tij kështu qysh është.

Çka kanë të përbashkët këta ikës përveç shqetësimit të drejtë në fatin individual? Përshtypja ime – e ndërtuar nga një numër i madh bashkëbisedimesh ndër vite – është se ekziston një parakusht që e bën njeriun të korruptuar, ose të mpirë e të çinteresuar, ose grabitës, ose ikës drejt perëndimit, e të cilin po e quaj: zhgënjim dembelësh.

Ky lloj zhgënjimi manifestohet në mënyrë të shkujdesshme mbi gjithkënd e gjithçka. Natyrisht, nuk jam psikolog dhe as që dua të flas mbi shkaqet psikike të diçkaje të tillë. Kjo është taktikë ligjërimore që bën vaki të shpaloset nga njerëz të gëzuar e të hidhëruar, nga njerëz të ftohtë ose impulsiv.

Zhgënjimi i tillë është taktikë ligjërimore e promovuar nga diskursi i pushtetit, e ilustruar në kontekstin tonë ndoshta nga njerëz të afërt me PDK-në që thonin “Krejt jemi njëjtë” [lexo: Krejt jemi të korruptuar] në prag të zgjedhjeve të kaluara.

Ky zhgënjim përbën parakusht themelor që njerëzit të justifikojnë të bëmat e tyre korruptive. E bile, shërben edhe si parahyrje drejt moralit e ligjërimit korruptiv. Duke qenë se e mësuam që diskursi ose ligjërimi është ai çka vlen, është pushteti për të cilin luftohet – ky lloj zhgënjimi përbën në luftën kundër pushtetit një akt dorëzimi.

Nuk janë të gjithë të korruptuar! Nëse i thoni vetes diçka të tillë, atëherë tashmë ju vetë jeni i korruptuar [ose do të bëheni në mundësinë e parë].

Shpërndaje në: