Pas hetimeve nga Kundërkorrupsioni, Donika Gërvalla deklaron kompaninë dhe pagën e burrit

Pas hetimeve nga Kundërkorrupsioni, Donika Gërvalla deklaron kompaninë dhe pagën e burrit

Ndryshe nga viti i kaluar, kur shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla kishte vendosur të mbante fshehtë pagën e bashkëshortit dhe posedimin e aksioneve të veta në një kompani private, tash ka vendosur t’i bëjë publike, shkruan Periskopi.

Në fakt, Ministrja e Jashtme këtë herë ka qenë e detyruar të bëjë këtë deklarim ngase Agjencia kundër Korrupsionit ka nisur hetimet ndaj saj, nën dyshimin se ka bërë deklarim të rremë në vitin 2021.

Sot, Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë publik deklarimin  e pasurisë së zyrtarëve të lartë, ku e premtja është bërë në mars të vitit 2022.

Ministrja Gërvalla ka deklaruar se posedon aksione në një kompani.

“Albingua UG, themeluar në gusht 2020, kapitali fillestar 500e, qarkullimi nga themelimi e deri më 31.12.2021, ka qenë 0.00e. Deklaruesja është pronare e vetme 100% e kompanisë”, ka shkruar Gërvalla në fund të formularit, duke dhënë sqarime shtesë lidhur më kompaninë.

Derisa ka shkruar se, kompania është themeluar në vitin 2020, e njëjta nuk ishte deklaruar në formularin e vitit 2021.

Po ashtu, ndryshe nga viti i kaluar ajo e ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortit i cili i punon në Bundestagun gjerman. Paga e tij është 53,968.00 euro. Po ashtu, ka deklaruar se bashkëshorti i tij ka në bankë 5,278.00, ndërsa para të vetat ka deklaruar në vlerë prej 1,292.00 euro.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka vijuar hetimet ndaj Donika Gërvallës, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lajmin e ka konfirmuar para pak javësh AKK-ja në një përgjigje me shkrim për mediat në Kosovë. AKK-ja nuk ka sqaruar se në çfarë drejtimi është duke e hetuar konkretisht zëvendëskryeministren.

Agjencia, e cila heton rastet e dyshuara korruptive të zyrtarëve të lartë publikë, tha se hetimet ndaj ministres Gërvalla përfshijnë “mbledhjen, hulumtimin dhe analizimin e dokumentacionit” dhe informacioneve të tjera lidhur me rastin.

“Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi”, kanë thënë nga AKK-ja.

Më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” raportoi se Gërvalla nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj. /Periksopi/

Deklarimi i Marsit të vitit 2022:

 

 

Shpërndaje në: