Pas intervistimeve, priten akuzat nga Gjykata Speciale

Periskopi.com Intervista

Pas intervistimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës, Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë, në rast se i vërteton dyshimet si të bazuara, atëherë mund të ngreh akuzat ndaj të dyshuarve, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare.

Sipas tij, duke u bazuar në rrjedhën e punës së Dhomave të Specializuara, që njihet si Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, sidomos në dy muajt e fundit, procedura e gjykimit të personave të dyshuar do të fillojë së shpejti. Ai shpreh mendimin se nuk do të ketë interferime politike ndaj kësaj gjykate dhe se askush i pafajshëm, nuk do të dënohet nga kjo gjykatë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Salihu, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ka ftuar më shumë se 40 persona për t’i intervistuar, qoftë si dëshmitarë apo të dyshuar për krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Cilat janë procedurat pas intervistimit?

Ismet Salihu: Procedurat pas intervistimit të personave të ftuar si të dyshuar janë përafërsisht standarde sikurse procedurat e kodeve penale vendore. Nëse pas intervistimit administrohen prova dhe fakte të mjaftueshme, të cilat gjykatën e bindin se ka bazë për të dyshuar me bazë, që kanë qenë fajtor për kryerjen e veprave penale, atëherë ngrihet akuza. Kjo është faza e parë.

Ndërsa dëshmitarët ftohen sipas standardeve, sipas rregullave të cilat janë të përcaktuara dhe të ndërtuara në kodet penale të shteteve veç e veç, siç është edhe Kodi i Procedurës Penale të Kosovës. Këtu me një përjashtim, për shkak se një numër i dëshmitarëve do të kenë statusin e dëshmitarit të mbrojtur që i thonë anonim dhe ai do të dëshmojë, mirëpo zëri i tij, fytyra e tij nuk do të identifikohet për shkak të rrezikut që mund t’i ekspozohet nga personat e dyshuar ose persona të tjerë.

Radio Evropa e Lirë: Sa mund të zgjasë kjo procedura e mbledhjeve të fakteve pas intervistimit?

Ismet Salihu: Pas intervistimit, kjo është procedurë para-penale, paraprake dhe procedura mund të zgjasë varësisht prej situatës, prej rastit konkret mund të zgjasë një javë, dy javë, një-dy muaj – aty nuk ka afat të caktuar. Ndërsa, kur të ngrihet akuza, atëherë janë afatet e caktuara me ligj.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të priten sipas jush aktakuzat e para nga Prokurori Special dhe më pas edhe gjykimet e para nga Dhomat e Specializuara?

Ismet Salihu: Sipas rrjedhës së gjertanishme të punës së Gjykatës Speciale dhe sidomos situatës së fundit, këto dy muajt e fundit, procedura e gjykimit të personave të dyshuar jam i bindur se së shpejti do të fillojë, për shkak se Gjykata Speciale pothuajse qe dhjetë vjet është duke punuar në këtë drejtim, mendoj në hetime. Ju e dini se, tani është veç kryeprokurori i tretë që ka marrë këtë funksion dhe sipas disa njohurive të fundit të mija, Gjykatën Speciale krahas këtij prokurori të përgjithshëm kryesor, kryeprokurorit pra, janë një numër i konsiderueshëm i prokurorëve, të cilët i kanë udhëhequr hetimet dhe një numër i konsiderueshëm prej të gjithë këtyre prokurorëve janë pikërisht shtetas amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë dallimet në procedurat gjyqësore të cilat i zbaton Dhoma e Specializuar, nëse bëhet një krahasim me Tribunalin e Hagës?

Ismet Salihu: Kryesisht procedura është e njëjtë. Aq mirë është ndërtuar baza juridike, legjislacioni i kësaj gjykate dhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë të garantuar një autonomi adekuate, që nuk do të ketë interferime politike episodike etj, që askush i pafajshëm nuk do të dënohet në këtë gjykatë, sipas të gjitha këtyre parametrave dhe standardeve që janë ndërtuar në legjislacion dhe në përbërjen e trupit gjykues dhe prokurorëve. Mundet dikush të lirohet në mungesë të fakteve, provave, mirëpo sipas bindjes sime nuk do të dënohet i pafajshëm askush.

Përndryshe, procedura është e njëjtë, me një përjashtim substancial në krahasim me procedurën dhe juridiksionin e Tribunalit të Hagës, i cili siç e dini, ka pushuar së punuari pas 20 vjetësh punë. Ky dallim konsiston në atë që është paraparë shprehimisht, në Ligjin për juridiksionin e kësaj gjykate thuhet aty shprehimisht në dispozitat përkatëse se në rastet kur ndonjë person është proceduar, është zhvilluar gjykim dhe ka përfunduar gjykimi, qoftë i gjykatës vendore nacionale të Kosovës, qoftë i gjykatës ndërkombëtare, siç ka qenë Tribunali i Hagës, se për atë lëndë është përfunduar procedura, kjo gjykatë (Speciale) nuk ka juridiksion që ta gjykojë më atë lëndë. Kështu që, këtu do të respektohet ai parimi “Non bis in idem”ose jo për të dytën herë të gjykoheshdhe të dënohesh për të njëjtën vepër.

Radio Evropa e Lirë: A mund të mbrohen në liri personat ndaj të cilëve ngrihet aktakuzë?

Ismet Salihu: Puna e kësaj gjykate do të zhvillohet sipas Ligjit për themelimin e kësaj gjykate, ku janë të rregulluara disa çështje kryesore të procedurës. Por, kjo gjykatë do të punojë edhe sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Thënë ndryshe, kjo gjykatë do të zhvillojë procedurën edhe sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, sipas Kodit Penal të Kosovës, sipas ligjit të mëparshëm të ish-Jugosllavisë, pra, Ligjit Penal të Jugosllavisë, Ligjit Penal të Kosovës, etj.

Kështu që, në aspektin e pyetjes që e shtruat ju – se a mund të vendoset që ndonjë prej personave të dyshuar të mbrohet në liri – kjo varet prej vet vendimit, bindjes, vlerësimit të kësaj gjykate të Hagës, tash që i them Gjykatë Speciale. Mendoj që mund të ndodhë, por nuk besoj që do të lejohet për shkak të ekzistimit të rrezikut se mund të ndikojë te dëshmitarët ose t’i rrezikojë ata, për shkak se një numër i dëshmitarëve që do të dëshmojnë në këtë gjykatë janë dëshmitarë të mbrojtur. Por, ata mund të zbulohen dhe të rrezikohen.

Radio Evropa e Lirë: Për rastet tashmë të gjykuara për krime lufte, qoftë në Hagë apo në Prishtinë, a mund të nisin sërish procedurat e ri-gjykimit?

Ismet Salihu: Vetëm me një përjashtim mund të ndodhë që një person, i cili më parë është gjykuar dhe është përfunduar gjykimi nga gjykatat vendore të Kosovës ose nga Tribunali i Hagës. Mundet që sërish të zhvillohet procedurë për të njëjtën vepër, nëse në ndërkohë janë zbuluar të dhëna të reja, të cilat mund të administrojnë prova se personi i caktuar është fajtor. Së dyti, , pasi që është përfunduar procedura ndaj personit të caktuar, qoftë aktgjykim lirues ose dënues, nëse në ndërkohë është zbuluar se ai person ka kryer edhe ndonjë vepër tjetër penale, për të cilën gjykata nuk ka ditur ose nuk ka mundur të dijë se është kryer – por që në ndërkohë është zbuluar – atëherë, gjithashtu, i njëjti person mund të thirret prapë, të zhvillohet procedurë penale dhe të gjykohet.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë kontekst, si e shihni ftesën që i është bërë kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj? Ai ka marrë ftesë nga Zyra e prokurorit Special për t’u intervistuar, në cilësinë e të dyshuarit. Haradinaj, tashmë ka qenë në dy procese në Tribunalin e Hagës..

Ismet Salihu: Ne me keqardhje e kemi pranuar këtë lajm se Haradinaj është ftuar si i dyshuar në Gjykatën Speciale. Por, sipas të gjitha gjasave, në ndërkohë janë zbuluar disa të dhëna ose disa krime, për të cilat pretendohet se është fajtor Ramush Haradinaj. Rikujtojmë që në gjykimin e fundit, Ramush Haradinaj është liruar për shkak të mungesës së fakteve, të dhënave dhe provave. Përndryshe, ai nuk është i liruar si i pafajshëm, por për shkak të mungesës së provave.

Në të drejtën penale, në procedurën penale, është parim që për mungesë të provave askush nuk mund të dënohet, të shpallet fajtor. Madje, në rastet kur ka dyshime nëse është ose nuk është fajtor, ka kryer apo nuk ka kryer vepër penale, është parim në drejtësinë penale, jo vetëm te ne, por edhe te shtetet tjera, si dhen në të drejtën ndërkombëtare, por edhe nacionale, që në ato raste duhet të vendoset në favor të të akuzuarit. Kështu që këto janë situatat dhe zoti Haradinaj, sipas të gjitha gjasave është ftuar për krimet e pretenduara që janë kryer gjatë luftës ose eventualisht pas luftës.

Kjo gjykatë ka juridiksion lidhur me periudhën për të cilën do të veprojë, prej 1 janarit të vitit 1998 e deri më 31 dhjetor të vitit 2000, që i bie 18 muaj gjatë luftës dhe 18 muaj pas luftës. E dimë, mjerisht, që pas luftës janë kryer një numër i vrasjeve, që nuk është i vogël. Kanë qenë vrasje shumë makabre të aktivistëve, kryesisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këta persona që janë ftuar (nga Zyra e Prokurorit Special) dhe që janë aktualisht në nivelet në pushtet, em status të caktuar shtetëror dhe politik, që kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovëse posaçërisht që kanë pasur nivele më të larta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sipas të gjitha gjasave, këta persona do të akuzohen nga kjo gjykatë, sipas vijës së përgjegjësisë komanduese. Komandanti përgjigjet, të shpallet fajtor dhe të dënohet në tri situata.

E para, nëse ka urdhëruar një person ose grup personash që të kryejnë krime të luftës. Situata e dytë është, në rast se komandanti e ka ditur që disa ushtarë ose grupe ushtarësh po përgatiten që të kryejnë krime të luftës dhe nuk i pengon ose parandalon.

Ndërkaq, situata e tretë është ajo që e sajon përgjegjësinë penale të komandantit ose komanduesit, nëse nuk e ka ditur se është përgatitur dhe kryer krimi, por ndërkohë ka marrë vesh dhe është njoftuar se është krimi ose krimet, si dhe nuk ka marrë asnjë masë për t’i ndëshkuar kryerësit e krimit ose t’ua dorëzojë ata organeve të drejtësisë, për t’u përgjigjur për krimin, qoftë gjykatave ushtarake (gjatë luftës) ose pas luftës, gjykatave vendore të rregullta.

Shpërndaje në: