Pasi i quajti “të inkriminuar” votuesit e LDK-së e PDK-së, Hoxha i VV-së sulmon Periskopin

Pasi i quajti “të inkriminuar” votuesit e LDK-së e PDK-së, Hoxha i VV-së sulmon Periskopin

Periskopi dje raportoi për një status të z.Elvis Hoxha, anëtar i Vetëvendosjes nga Republika e Shqipërisë, dhe i cili i quajti të inkriminuar votuesit e LDK-së (ish partnerit qeveritar në Qeverinë Kurti) dhe ata të PDK-së.

Z.Hoxha në mënyrë eksplicite kishte thënë se “aleanca mes shefave të partive LDK dhe VV” po inkriminonte votuesit e kësaj partie. Një gjë e cila në mënyrë të qartë sulmon dinjitetin dhe integritetin e këtyre votuesve duke i parë si “kriminelë”. Megjithëse, brenda këtij konteksti, “kriminaliteti” i votuesve është i kushtëzuar nga aleanca e këtyre shefave të partive, Thaçit e Veselit në një anë, dhe Mustafës në tjetrën.

Në fakt, një aleancë e tillë politike mes z.Isa Mustafa dhe z.Kadri Veseli kishte ekzistuar edhe në fund të vitit 2014, e që rezultoi në Qeverinë Mustafa e cila zgjati pastaj deri në maj të vitit 2017.

Votat për këto dy parti – të dala nga ajo aleancë politike – del se janë të inkriminuara.

E megjithë qartësinë e statusit të tij, z.Hoxha nuk ngurron të sulmon Periskopin se po gënjen, madje edhe duke akuzuar se po i mendon shqiptarët si qytetarë që “nuk dinë të lexojnë shqip.”

“Dhe Periskopi vazhdon me gënjeshtrat. Si duket Periskopi mendon se shqiptarët nuk dijnë të lexojnë shqip. Kjo është një akuzë e rëndë për shqiptarët.” – ka shkruar z.Hoxha.

Në fakt, është vetë z.Hoxha ai që në mënyrë të hapur i merr miqtë dhe ndjekësit e tij në Facebook si njerëz që nuk dinë të lexojnë. Për të shmangur çdo keqkuptim, Periskopi në artikullin e djeshëm kishte vendosur edhe statusin e aktivistit të VV-së nga Tirana krejtësisht të paredaktuar, e të cilin lexuesit tanë mund ta lexonin dhe kuptonin në mënyrën e tyre.

Ndërkohë, më poshtë keni statusin e plotë të z.Hoxha, ashtu siç e kishim paraqitur edhe dje për ju:

Kur Thaçi dhe Veseli janë në krye të partisë që del prej rezistencës së armatosur, kur Mustafa dhe Veliu janë udhëheqësit e partisë së dalë prej rezistencës paqësore, atëherë aleanca mes këtyre shefave nuk mund të prodhojë asgjë tjetër veçse rrënimin e pandalshëm të strukturave dhe inkriminimit të votuesve të tyre.

Çdo komentues që do të më tregojë të drejtën time për t’u shprehur për këto dy parti, do të dëshmojë injorancën e tij. Partitë politike nuk janë administrim subjektiv i pronës private.

Shpërndaje në: