Pasi takoi Johnsonin në OKB, vetizolohet presidenti i Brazilit

Pasi takoi Johnsonin në OKB, vetizolohet presidenti i Brazilit

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është vetizoluar në shtëpinë e tij posa është kthyer nga takimet në Kombet e Bashkuara, pasi ministri brazilian i Shëndetësisë doli pozitiv në testin për Covid-19 dhe u detyrua të futet në karantinë në Nju Jork.

Rregullatori shëndetësor brazilian rekomandoi që i tërë delegacioni presidencial që mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të izolohet dhe t’iu nënshtrohet më shumë testimeve.

Ministri brazilian i Shëndetësisë, Marcelo Queiroga, doli pozitiv në testin për koronavirus disa orë pasi e shoqëroi presidentin në fjalimin e tij në takimin vjetor të nivelit të lartë të martën. Autoritetet braziliane thanë se të gjithë anëtarët tjerë të delegacionit kanë dalë negativë në testim.

Bolsonaro, i cili nuk beson në rezultatin e vaksinave për ta luftuar pandeminë, është mburrur që nuk është vaksinuar dhe nuk i respektoi rregullat e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave pjesëmarrësit në mbledhje duhej të ishin të vaksinuar, shkruan Reuters.

Ministri që doli pozitiv ishte i pranishëm në takimin e presidentit brazilian me kryeministrin britanik, Boris Johnson. Ministri ishte me maskë, por presidenti brazilian dhe kryeministri britanik nuk kishin maska.

Shpërndaje në: