Petkoviqi pas aksionit të Policisë në Veri: Fola me Lajçakun, ky është provokimi i radhës nga Kurti

Petkoviqi pas aksionit të Policisë në Veri: Fola me Lajçakun, ky është provokimi i radhës nga Kurti

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, ka reaguar pas aksionit policor të Kosovës në nivel vendi në luftën kundër kontrabandës, që përfshiu Komunln e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, të cilin e quajti si “Provokimi i radhës nga Kurti”.

Ky zyrtar serb tha se e ka telefonuar të Dërguarin e Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për ta informuar për aksionin policor në Veri.

“Derisa ne po zgjidhim gjithçka përmes dialogut, Kurti dhe të tjerët po mundohen të zgjidhin gjërat me kriza në mënyrë që ta pushtojnë Veriun e Kosovës, që është obsesion i tyre”, deklaroi Petkoviç, raporton Tanjug.rs

Ai gjithashtu tha se ky veprim  “është i Albin Kurtit para kohës së zgjedhjeve”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur një aksion policor në nivel vendi, në luftë kundër kontrabandës së mallrave.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar “janë angazhuar edhe Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”.

Zyrtarëve policorë dhe doganorë, në ndihmë u kanë dalë edhe njësitet elite të Policisë së Kosovës, të cilat janë parë duke patrulluar nëpër rrugët e lagjes së boshnjakëve.

Policia ka hasur në rezistencë të qytetarëve serbë, të cilat janë grumbulluar në rrugë dhe po kundërshtojnë aksionin e Policisë së Kosovës.

Shpërndaje në: