Policia publikon pamje të automjeteve që u shkatërruan nga aksidentet ditëve të fundit, apelon për kujdes

Policia publikon pamje të automjeteve që u shkatërruan nga aksidentet ditëve të fundit, apelon për kujdes

Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin  dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.

Duke pasur parasysh sezonin  veror, me ç’ rast është shtuar fluksi i  automjeteve, ardhja e bashkatdhetarëve ku ditëve të fundit vërehet edhe rritje e numrit të  aksidenteve përfshirë aksidentet me lëndime dhe me fatalitet, Policia e Kosovës thotë se ka shtuar  aktivitetet e saj me prezencë të shtuar policore përmes pikave të kontrollit të automjeteve  dhe patrullimit në lëvizje, me qëllim të ofrimit të sigurisë në trafikun rrugor, parandalimin  e aksidenteve e kundërvajtjeve si dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës.

“Mosrespektimi i rregullave të trafikut, vozitja e pa kujdesshme, tejkalimi i  shpejtësisë, mospërshtatja e ngasjes me kushtet e rrugës, tejkalimi në vendet e ndaluara  dhe kundërvajtjet tjera janë disa nga shkaktarë e aksidenteve me pasoja fatale e dëme  materiale, ku disa prej dëmeve materiale ju paraqesim në fotot e bashkangjitura”, ka njoftuar PK-ja.

Andaj, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë  kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’u  përshtaten kushteve të rrugës, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.

Policia ka publikuar edhe disa pamje të automjeteve që u aksidentuan ditëve të fundit. /Periskopi/

Shpërndaje në: