Presidenti i FFK-së, Agim Ademi për Periskopin: Shkarkimi i Challandesit dhe Prekazit është i mundshëm
Po përflitet shumë për të ardhmen e trajnerëve të Kombëtares së Kosovës, atij të grupmoshave U21, Rafet Prekazi poashtu edhe të Kombëtares A, Bernard Challandes.
Të dy teknikët e kanë gjetur veten nën presion të madh dhe vazhdimisht po spekulohet për shkarkimin e tyre, shkruan Periskopi.
Rafet Prekazi e mbylli ciklin me U21-shat mbrëmë me një humbje 3-0 nga Turqia, si dhe në pozitën e parafundit të Grupit C, duke mos arritur që të sigurojë vendin që dërgon në Euro 2021.
Në anën tjetër, as Challandes nuk qëndron më mirë, derisa ‘Dardanët’ mund të bien në Ligën D përsëri me një disfatë sonte kundër Moldavisë në ‘Fadil Vokrri’.
Periskopi ka kontaktuar me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e shkarkimit të dyshes, duke thënë:
”Ndryshimet janë të mundshme. Do t’i konsiderojmë mundësitë, por deri më tash nuk kemi vendosur asgjë,” është shprehur numri 1 i FFK-së për Periskopin.
”Sigurisht pas përfundimit të ciklit do të vlerësohet puna e secilit. Sepse përveç aftësive dhe kritereve që ka një trajner, puna vlerësohet më së shumti.
”Kështu që gjithçka do të analizohet pas përfundimit të ciklit, pasi përfundojnë edhe kontratat e trajnerëve, por mund të ketë ndryshime,” u shpreh ai. /Periskopi.com/



