Presidentja hungareze sot në Kosovë, policia bllokon disa rrugë

Presidentja hungareze sot në Kosovë, policia bllokon disa rrugë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur që me rastin e vizitës së presidentes së Hungarisë, Katalin Novak e cila do të vizitojë sot Kosovën, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete”.

“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në komunikatën e policisë.

Presidentja Novak do të pritet në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë nga shefja e diplomacisë Donika Gërvalla në orën 09:00.

Ceremonia e pritjes nga presidentja Osmani do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku do të pritet me gardën ceremoniale në orën 09:20.

Pas takimit, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Shpërndaje në: