Prokuroria Speciale: Arrestuam 31 persona në rastin “Subvencionet”, 12 ishin zyrtarë shteti

Prokuroria Speciale: Arrestuam 31 persona në rastin “Subvencionet”, 12 ishin zyrtarë shteti

Me urdhër të dhënë nga Prokuroria Speciale, 31 persona kanë përfunduar të arrestuar në aksionin e sotëm të quajtur “Subvencionet 2021”.

Me anë të një njoftimi, Prokuroria ka thënë se aksioni i nisur kohë më parë është kryer në tetë komuna të Kosovës.

Peja është përmendur e para, dhe pas saj janë përmendur edhe Istogu, Ferizaji, Lipjani, Prishtina, Kllokoti, Vushtria dhe Podujeva.

Sipas këtij njoftimi prokurorial, 12 prej 31 personave që përfunduan në pranga ishin zyrtarë në pozita të ndryshme.

“Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, thuhet në njoftim.

Personat e ndaluar dyshohen për veprat penale ‘marrje e ryshfetit, ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘dhënie e ryshfetit’, ‘mashtrim me subvencione dhe ‘falsifikim i dokumenteve’.

“Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: