Pse Albin Kurti ‘i nderon’ me intervista këto tri televizione kosovare?

Pse Albin Kurti ‘i nderon’ me intervista këto tri televizione kosovare?

Albin Kurti në postin e kryeministrit është shfaqur i mbyllur totalisht për mediat kosovare. Por, kështu nuk ka vepruar me mediat rajonale dhe ndërkombëtare.  Janë të njohura tentativat e gazetarëve kritikë kosovarë të Kurtit, për ta pasë një herë në intervistë – gjë që s’ka ndodhur deri tani. Por janë të njohura edhe intervistat e tij për mediat rajonale (Tanjugu serb, etj) si dhe mediat ndërkombëtare. Në këtë tekst, nuk po merremi me paraqitjen e Kurtit në mediat ndërkombëtare, ku ekziston një konstatim i përgjithshëm i gazetarëve kosovarë se më shumë ka paraqitje të natyrës së një analisti gjeo-politik, por po merremi me listën favorite të Kurtit, për t’u shfaqur në – le të themi – intervista. Nëse flasim me gjuhën e Kryeministrit, në këtë ditë të madhe të lirisë së shtypit, mund të konstatohet se Kurti u tregua skifter me median kosovare, e pulë me ato rajonale e ndërkombëtare.

Kur Albin Kurti dhe partia e tij do të humbnin thellë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kryeministri do ta ngushëllonte veten se ishte disi njeriu më i veçantë që i priu një liste zgjedhore në politikën e pas luftës.

Një listë ku do të shkruhej emri Albin Kurt, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca – s’kishte e s’do të përsëritej më, do të deklaronte pak a shumë kryeministri.

Dhe, me këtë arrogancë që lidhet me emrin e vet, Kurti do t’u qasej edhe mediave.

Duket se në agjendën e tij të paraqitjeve mediale, ekziston një LISTË.

Se si e ka menduar listën e mediave kosovare, ku Kurti dëshiron të prezantohet si qeveritar, ne nuk e dimë, por i dimë emrat e tyre dhe përmbajtjen e intervistave që kryeministri dha aty. Në këtë tekst, ne po përmbledhim tri mediumet e preferuara kosovare të Kryeministrit – për t’u shprehur pa u sfiduar fare.

RTK: Mediumi publik i Kosovës, i kritikuar gjatë nga partia në pushtet (VV) dhe kryetari i saj Albin Kurti, u shndërrua në medium favorit ku Kurti si kryeministër do të rrëfehej.

Kurtin si opozitar, e kemi dëgjuar me vëmendje – pavarësisht nëse jeni një votues i partisë së tij, simpatizant ose jo, por gjërat ndryshuan me Kurtin kryeministër. Intervistat e tij në mediumin publik, nuk rekomandohen të rishikohen, pasi janë thjeshtë një humbje e madhe e gjësë së vlefshme që quhet: kohë.

Dy-tri intervistat e tij në mediumin publik, janë paraqitje e tij me një gazetar, i cili është gjithmonë i njëjti – gjë që nuk është ndonjë shkelje profesionale, etike a morale, e as kurrfarë shkelje tjetër, por ta jep ndjesinë e mungesës serioze të sensit të ballafaqimit Gazetar – Njeri më i pushtetshëm i një vendi (në rastin tonë; gazetar – Kurt)

KTV: Numër dy në listën e Kryeministrit për intervistë, është Kohavizioni, më konkretisht, emisioni që quhet ‘Desku’.

Ngjashëm si me RTK-në edhe aty, kryeministri kishte dy – tri paraqitje që prej kur mori këtë post dhe u përball me pyetje aspak sfiduese.

Na kujtohet veç njëri prej tyre, ku një gazetare e njohur e KTV-së tentonte ta ngritë intervistimin në një tjetër nivel, ta bënte pak më ballafaques e dinamik, por nuk pati sukses, pasi që ndërpritej vazhdimisht nga udhëheqësi i emisionit.

Po e përmendim qëllimisht këtë emision, pasi gazetarja e KTV-së madje këmbëngulte që kryeministri të sfidohej pikërisht lidhur me raportin e ftohtë që ka me median kosovare.

ATV: Në top 3 të kësaj liste, është mediumi i njohur zbavitës në vendin tonë, ATV. Kemi parë një apo dy paraqitje të kryeministri në emisionin politik që quhet ‘Context’. Ia vlen të përmendet gatishmëria e gazetarit të njohur për ta sfiduar kryeministrin me çështje të ndryshme që lidhen me periudhën e tij qeverisëse, por Kurti vazhdimisht del jashtë kontekstit.

Për RTK-në dhe KTV-në, kuptohen deri diku arsyet se pse janë medium në listën e Kurtit për intervista.

Për të fundit, ATV-në, nuk është se mund të përmendim ndonjë arsye specifike dhe nuk po paragjykojmë.

Diçka që na shkon në mendje aktualisht, është përmbajtja e njohur si ‘entertain’ e mediumit kosovar dhe kjo ndoshta mund të jetë një nga arsyet. Një tjetër, mund të jetë politika neutrale e mediumit kosovar.

Dhe kur përzihet zbavitje + neutralitet, ndoshta në përllogaritjen e Kurtit ose ekipit të tij, është që të jesh në një medium ku edhe ngohesh edhe këqyresh.

Kujtojmë se dy raportet më prestigjioze botërore lidhur lirinë e shtypit – ai i Freedom House dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit – kanë qenë kritikë në këtë pikë. “Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thotë një fjali e raportit të DASh./Periskopi

Shpërndaje në: