Qeveria e Kosovës jep detaje pas takimit në Bruksel për targat

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e sotëm mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për targat në Bruksel.

Qeveria në një komunikatë për media ka thënë se është diskutuar për planin e takimeve të rregullta të ekspertëve në muajt e ardhshëm.

Sipas qeverisë, zgjidhja për targat duhet të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të BE-së.

“Në këtë takim u bisedua për planin e takimeve të rregullta ndërmjet gupeve punuese të ekspertëve në muajt e ardhshëm, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje, bazuar në dy parime themelore: zgjidhja të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian, dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plotë nga qeveria e Kosovës

Takimi i parë i grupeve punuese në nivel të ekspertëve për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë u zhvillua sot, në Bruksel.

Në këtë takim u bisedua për planin e takimeve të rregullta ndërmjet gupeve punuese të ekspertëve në muajt e ardhshëm, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje, bazuar në dy parime themelore: zgjidhja të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian, dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët.

Ky takim bazohet në marrëveshjen e arritur më 30 shtator 2021, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas së cilës, është formuar grupi punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.