Qeveria për darkën e luksit me oktapoda: Ishte edhe Lajçaku

Qeveria për darkën e luksit me oktapoda: Ishte edhe Lajçaku

Zëdhënësi i Qeverisë Kurti II, Përparim Kryeziu, i ka ‘arsyetuar’ shpenzimet e Qeverisë për darkën e luksit me oktapoda, që i kushtoi Qeverisë hiç më pak se 375 euro. Ushqimi deti i shoqëruar me shampanjë italiane e verëra kishin dominuar në tryezën e një restoranti në afërti të Prishtinës ku po darkonin zyra e Kurtit në një natë maji.

Kryeziu përmes një postimi në facebok ka thënë se në këtë darkë pune ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.

“Për të dhënë kontekstin e munguar në artikullin mbi atë shpenzim (375€), njoftojmë se darka e datës 31 maj 2021, ishte darkë pune në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer”, ka shkruar Kyreziu.

Statusi i plotë:

Në bazë të kërkesës për qasje në dokumente publike me numër protokolli 2726, mediumit Kallxo i janë dërguar faturat e shpenzimeve për dreka zyrtare të kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Për të dhënë kontekstin e munguar në artikullin mbi atë shpenzim (375€), njoftojmë se darka e datës 31 maj 2021, ishte darkë pune në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në këtë darkë pune ishin të pranishëm:

1. Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák

2. Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer

3. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

4. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

5. Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi

6. Zëvendëskryeministrja e parë e Republikës së Kosovës, njëherit Minsitre e Jashtme, Donika Gërvalla

7. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett

8. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori Tomáš Szunyog

Edhe pse nuk ka kërkuar informata shtesë lidhur me darkën e përmendur në artikull, Zyra e Kryeministrit ia ka dërguar këtij mediumi në fjalë informatën si më lartë.

Darka “me pesë yje” e zyrës së Kurtit: Oktapod, levrek, salmon e biftek, të shoqëruar me shampanjë italiane

 

Shpërndaje në: