Rashica shpallet lojtari i muajit gusht te Norwich City: Jam shumë i lumtur, kam dhënë maksimumin

Rashica shpallet lojtari i muajit gusht te Norwich City: Jam shumë i lumtur, kam dhënë maksimumin

Lojtari i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, po arrin të bëjë mjaft mirë te skuadra e tij e re.

Në muajin e parë me fanellën e Norwich City, Rashica duket se ka lënë përshtypje të mira te skuadra dhe tifozët e tij.

Ai është shpallur lojtari më i mirë i muajit gusht, njofton faqja zyrtare e Norwich, transmeton Periskopi.

Shpejtësia e tij dhe etika e punës janë dy elemente që përmenden në njoftimin e klubit. Ai është shprehur shumë i lumtur për këtë arritje dhe ka folur edhe për rëndësinë e tifozëve.

“Jam shumë i lumtur dhe e vlerësoj vërtetë shumë, sepse nuk ka qenë fillim i lehtë për ne, por ndeshje pas ndeshje po rritemi së bashku si skuadër dhe po provojmë të bëjmë lojën tonë. Është me rëndësi që tifozët janë aty që nga fillimi”, ka thënë Rashica, transmeton Periskopi.

“Mendoj se tani është koha për ne që gjithashtu t’iu japim diçka atyre. Mendoj se kisha paraqitje të mira, por po provoj të kuptoj se si luan skuadra dhe jam duke dhënë maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Mendoj se jam në rrugën e duhur dhe siç e shihni, të luaj me këta lojtarë dhe këtë skuadër, bëhet më e lehtë, sepse ata ma lehtësojnë punën. Ata më ndihmojnë shumë si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, shtoi kosovari.

“Nuk ka ndeshje të lehta këtu, sidomos në fillim, por duhet të shohim ndeshje pas ndeshje dhe po luajmë mirë, sidomos në ndeshjen e fundit në shtëpi. Mendoj, nëse jo tri pikët, ne duhet të kishim një pikë nga ajo ndeshje, sepse jepnim çdo gjë deri në momentet e fundit. Ishim pak pa fat, por ndeshje pas ndeshje po krijojmë më shumë dhe po provojmë të bëjmë futbollin tonë”, tha mes tjerash Miloti.

Rashica është vlerësuar maksimalisht për paraqitjet e tij në muajin gusht me skuadrën e tij, por te Kosova nuk pranoi komente mjaft të mira nga tifozët. /Periskopi/

Shpërndaje në: