Rasti i Xheneta Gashit: Ngritet aktakuzë për drejtorin për Emergjenca dhe Siguri në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër B.E., drejtorit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, për rastin e vdekjes tragjike të Xheneta Gashit vitin e kaluar kur një shtëpi u shemb në rrugën “Marin Barleti”, në Prizren, njofton Klan Kosova.
“Sipas aktakuzës, i akuzuari B.E., në cilësi të personit përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nga pakujdesia nuk ka ndërmarr masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren për të evituar rrezikun, në atë mënyrë që me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta., fëmija Xh.G., e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, ashtu që nga plagët e marra ndërron jetë”, shpjegohet në njoftimin e prokurorisë.
“Me këto veprime i akuzuari B.E., ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitimi i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1 të KP-ës”.



