Reagimi i Komisionit Evropian pasi Serbia ia ndaloi hyrjen boksierëve kosovarë

Periskopi.com Sporti

Gjatë fundjavës që shkoi ekipi kombëtar i Kosovës në boks u rikthye mbrapshtë tri herë në kufirin me Serbinë.

Kjo nënkupton se Dardanëve iu pamundësua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit, i cili po mbahet në Beograd.

Kjo çështje ka bërë bujë të madhe gjithandej pasi sportistëve kosovarë po vazhdohet t’u bëhet padrejtësi.

Madje, sot ka reaguar edhe Komisioni Evropian, i cili ka bërë thirrje që të depolitizohet sporti, pasi Serbia ia mohoi Kosovës pjesëmarrjen në Botërorin e Boksit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka thënë se “Federata e Boksit e Kosovës nuk duhet të trajtohet ndryshe nga delegacionet e Federatave të tjera anëtare. Kosova duhet të lejohet të marrë pjesë në baza dhe me të drejta ta barabarta”.

Ditë më parë ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, shkroi në Twitter se “politizimi i sportit nuk ka qenë kurrë një ide e mirë”, përcjell Gazeta Express.

Të dy përfaqësuesit folën për nevojën për shkëmbimin kulturor dhe atletik, në mënyrë që të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar në mes të vendeve, por zgjodhën të mos e dënojnë në mënyrë specifike Serbinë për vendimin e saj për ta ndaluar ekipin e Kosovës.

Autoritetet serbe fillimisht refuzuan t’i linin sportistët kosovarë të futeshin në territorin e tyre me simbole shtetërore.

Më pas, ekipit iu ndalua hyrja në Serbi edhe pas heqjes së uniformave.

Të shtunën, Federata Ndërkombëtare e Boksit e lëshoi një komunikatë, duke shkruar se “pret që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacionet e anëtarëve të tjerë të AIBA-s”.

Ekipi kombëtar i Shqipërisë po ashtu kërcënoi se do të tërhiqej nga pjesëmarrja në Botëror nëse nuk i lejohet Kosovës të marrë pjesë.