Refuzoi vaksinimin anti-COVID shkaku i fesë dhe u shkarkua, polici shqiptar padit SHBA’në

Periskopi.com Lajme

SHBA-ja ka marrë një padi nga një ish-agjent policie me origjinë shqiptare për shkarkim të paligjshëm nga radhët e uniformave blu. 

Marjel Kola u shkarkua nga detyra 17 qershorin e kaluar, pasi refuzoi të vaksinohej kundër COVID-19, me pretendimin se nuk ia lejonte besimi fetar, raporton Euronews Albania, përcjell Albinfo.ch.

Më parë, efektivi shqiptar që punonte pranë Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut, kishte refuzuar të punonte edhe ditën mes së premtes dhe së shtunës me të njëjtin argument: fenë.

Kjo kërkesë e tij u mirëkuptua nga eprorët dhe ai u lejua të qëndronte larg patrullimit të rrugëve. Por argumenti me të cilin ai kishte refuzuar vaksinën u konsiderua i papranueshëm.

“Unë besoj tek Zoti. Përse duhet të vendos në trupin tim diçka të cilës nuk i besoj?”, u shpreh Kola për mediat amerikane.

Për këtë arsye, ai menjëherë më pas paditi shtetin amerikan. Ai nuk e di nëse do të fitojë procesin gjyqësor, por besimi i tij tek Zoti është i pamohueshëm.

“Është në dorë të drejtësisë, është në dorën e Zotit!”, tha më tej Kola.