Reja: Anglia është skuadër e fortë, por do mundohemi të marrim rezultat pozitiv
‘Kuqezinjtë’ zhvillojnë nesër një ndeshje shumë të vështirë.
Kombëtarja e Shqipërisë është mysafire e Anglisë në sfidën që luhet nga ora 20:45.
Ndeshja e nesërme: “Të gjitha ndeshjet luhen për t’i fituar. Sigurisht Anglia është një skuadër me vlera të mëdha, nga pikëpamja individuale dhe kolektive”.
Anglia? “I njohim shumë mirë vlerat e Anglisë, është një kundërshtar për të cilin nuk ka nevojë të flitet gjatë. Unë kam punuar shumë me skuadrën gjatë javës, për të rregulluar gjërat në aspektin e ekuilibrit”.
“Nuk kam ndërmend që skuadra të zbresë në fushë dhe të presë kundërshtarin gjatë të gjithë kohës, por do të provojmë të krijojmë raste dhe ta vëmë në vështirësi gjatë të gjithë kohës”.
“Sigurisht anglezët janë favoritë, por duhet personalitet nga ana jonë, nga ana e lojtarëve dhe e gjithë skuadrës në një ndeshje të tillë”.
“Fusha është njësoj për të gjithë dhe duhet të luajmë pa frikë. Të bëjmë një ndeshje perfekte, të mos bëjmë gabime, sepse jemi penalizuar në disa ndeshje, sidomos ndaj Polonisë”.
“Duhet të jenë perfektë të gjithë, jo vetëm lojtarët në fushë, por edhe zëvendësuesit të bëjnë maksimumin”.
Formacioni për nesër dhe Broja? “Nuk mund të them se kush luan sot, jam mësuar t’ua them formacionin lojtarëve në ditën e ndeshjes”.
“Dyshimet janë gjithmonë, por kemi punuar shumë mirë ndaj kam vështirësi zgjedhje, uroj dhe shpresoj që nesër të hedh në fushë ekipin më të mirë”.
“Sa i përket Brojës, qëndroi këtu të kurohej për kaviljen, por sot e nesër do të shohim se si është, do të jetë në fushë apo jo”.
A besoj se mund të fitojmë? “Wembli është tempulli i futbollit, prej shumë vitesh e njoh këtë realitet dhe jam shumë mik i Fabio Capellos dhe ai më ka treguar se çfarë përfaqëson Wembli për futbollin ndërkombëtar ndaj do të jem i emocionuar. Ka të drejtë Cikalleshi se kur luhet në këto stadiume duhet të tregosh të gjithë karakterin tënd”.
“Mancini ka fituar, Capello ka shënuar gol dhe Italia fitoi 1-0 këtu. Nuk ka 2 pa 3, ndaj urojmë që të vijë rezultati edhe për ne. E di që do të ishte e vështirë, por mrekullitë me raste ndodhin”, përfundoi Edy Reja.