Robin Krasniqi do të ndeshet me portugezin Jorge Silva më 4 maj

Robin Krasniqi do të ndeshet me portugezin Jorge Silva më 4 maj

Boksieri i njohur nga Kosova, Haxhi (Robin) Krasniqi do të ngjitet sërish në ring më 4 maj në Augsburg të Gjermanisë, ku përballë do të ketë portugezin Jorge Silva.

Krasniqi kthehet në ring, pas fitores në Prishtinë, që ngjalli shumë reagime kur e mposhti Nadjib Mohammedit në gusht të vitit të kaluar.

Boksieri ynë e kishte fituar meçin pasi Mohammedi ishte diskualifikuar në raundin e nëntë për goditje prapa kokës.

Krasniqi në boksin profesionist ka 53 fitore e shtatë humbje, ndërsa kundërshtari i radhës Silva i ka 22 fitore e nëntë humbje.

“Jam shumë i lumtur, që përballja ime e radhës do të jetë në Augsburg. Unë jetoj në Gersthofen tash e disa vite dhe ndihem shumë mirë. Është një ndeshje në shtëpi për mua, por edhe një përgjegjësi e madhe, që tifozëve të mi t’u ofrojë atë që presin gjithmonë nga unë – një luftë të fortë dhe nga e cila largohem si fitues”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në vitin 2020 kishte fituar titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA dhe titullin e botës në versionin IBO, duke e nokautuar gjermanin Dominic Boesel.

Krasniqi kishte pësuar me pikë në rimeç ndaj Boeselit, meç që po ashtu ishte shumë i diskutuar, pasi boksieri nga Kosova pretendonte që ishte fitimtar në atë përballje.

Krasniqi zë vendin e shtatë në renditjen botërore të versionit WBC në kategorinë gjysmë të rëndë.

Shpërndaje në: