‘Rrezikojmë luftë’ – por me çka: Periskopi mëson se Policisë po i sosen fishekët 

‘Rrezikojmë luftë’ – por me çka: Periskopi mëson se Policisë po i sosen fishekët 

Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se ‘ekziston rreziku për luftë’, janë ndër më të komentuarat të javës që po lëmë pas. Kurti, që prej fillimit të luftës në Ukrainë shprehet kështu, por njëra në të përditshmen italiane ‘la Reppubblica’, ngjalli më shumë debat, shkaku që ajo vinte pas tensioneve në Veriun e Kosovës. Ndër kritikat ndaj deklaratës së Kurtit, qëndronin edhe ato se ‘nëse ka informacione të cilat ne populli nuk i dimë’ në fakt, ‘neve popullin do të duhej të na përgatiste pak për luftë’. Derisa po zhvillohet gjithë ky diskurs gjaknxehtë, Periskopi ka mësuar nga burime brenda Policisë së Kosovës, se fishekët e kësaj force, janë në limit të shpënzimit. 

Policia e Kosovës po përballet me mungesë të theksuar të elementeve primare të armatimit. Periskopi ka mësuar se fishekët armëve të efektivëve policorë janë në limit, pra po i ‘sosen’ (harxhohen) fishekët në dispozicion.

Burimet tona bëjnë të ditur se janë ndalur të gjitha ushtrimet operacionale, që kanë të bëjnë më gjuajtjet më armë për shkak të mungesës së fishekëve.

“Fishekët janë në limit. Qe disa ditë janë ndalur edhe ushtrimet operative të rëndomta që bëhen me gjuajtje me armë në pikat e poligonit. Me sa dimë bëhet fjalë për një problem që policia ka më kompaninë furnizuese me armë”, ka bërë të ditur për Periskopin një burim i mirinformuar.

Të mërkurën, Periskopi ka drejtuar pyetje në zyrën për informim të policisë së Kosovës, lidhur më këtë problematik, por deri më tani nuk kanë kthyer një përgjigje lidhur më atë se pse ka mungesë të fishekëve.

Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim, dhe kësaj situatë, kryeministri i është referuar se ‘ekziston rreziku për luftë’.

Ekspertët e sigurisë, kanë deklaruar se Kosova nuk kërcënohet nga lufta. Por sipas tyre, krerët e shtetit nuk duhet të cungohen në deklaratat ndaj rreziqeve të mundshme që vijnë nga Serbia apo agjenturat ruse.

“Me vetë faktin që Kurti është kryeministër i vendit dhe udhëheq politikat e Kosovës ai duhet të jetë në hap me kohën dhe t’i parashoh gjërat më herët dhe me ngrit vetëdijesimin e strukturave ndërkombëtare që janë rreth kufijve të Kosovës”, ka thënë  për media eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Edhe Nuredin Ibishi, mendon se në aspektin e sigurisë, Serbia nuk mund të nisë një luftë në Kosovë.

“Ajo çdo herë pretendon, duke e zgjuar ekstremin e saj këtu brenda, që të krijojë viktima. Brenda pak minutash ta mobilizojë gjithë atë masë është një formë organizimi. Ata veprojnë në mënyrë shumë të sinkronizuar”.

“Ne po themi se politikanët tanë duhet të jenë më të matur në aspektin e deklarimeve publike e politike. Por, pse të mos deklaron që është rreziku për luftë. Vuçiqi po thotë se kemi qenë para një rreziku më të madh ndonjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. E ka përdor atë retorikë nonstop”, ka thënë Ibishi.

Ditë më parë Periskopi ka raportuar se, qindra pjesëtarë të policisë kanë mbetur pa jelek anti-plumb. Atyre u ka skaduar afti i përdorimit i cili vlen për dhjetë vjet.

Në qershor të vitit 2021, Policia e Kosovës kishte hapur tender për blerjen e më shumë se 3 mijë jelekëve antiplumb për zyrtarët policorë. Tenderi ka ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ngase dyshimet janë që prokurimi i policisë ka proceduar kundërligjshëm kur e ka rekomanduar për kontratë një kompani.

Megjithë këto zhvillime, kujtojmë se shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë të para dy ditëve, ka bërë thirrje ‘që të qetësohet situata’ si dhe të mos kontribuohet në tensionimin e saj.

 Z.Stoltenberg, i cili takon Kurtin dhe Vuçiqin javën e ardshme në Bruksel, poashtu ka thënë se në rast të ndonjë situate eskalimi në Kosovë, ‘KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë’./Periskopi/

Shpërndaje në: