SBASHK-u pezullon vendimin për protesta, presin që të dialogojnë me Qeverinë

SBASHK-u pezullon vendimin për protesta, presin që të dialogojnë me Qeverinë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka përkrahur vendimit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për t’i dhënë kohë Qeverisë që të punojë për Ligjin e Pagave.

Në njoftimin  për media thuhet se do të përcjellin angazhimet e Qeverisë lidhur me kërkesat, dhe se pastaj do të shpallin veprime sindikale.

SBASHK-u ka organizuar sot një takim nga larg me kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të Universiteteve për të debatuar për situatën aktuale dhe për të marrë vendim për angazhimet dhe veprimet e radhës

Sipas njoftimit, kryetari i SBASHK-ut ka raportuar për angazhimet e bëra në nivelin qendror që të niset me dialogun dhe që të dihet fati i Ligjit të pagave duke përmendur edhe takimin me Ministrin Sfeçla dhe Minsitren Nagavci, por edhe duke treguar se në takimin e jashtëzakonshëm të BSPK-së me Federatat anëtare të kësaj Konfederate përfaqësuesit e Federatave janë pajtuar që të autorizojnë kryetarin e BSPK-së që të kërkoj takim me Kryeministrin Kurti për të kërkuar që në bashkëpunim me sindikata të punohet urgjentisht në Ligjin pagave, në Ligjin për sigurimet shëndetësore dhe të këtë ndryshime në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, me qëllim që të hiqet kushtëzimi prej 15 vite përvojë pune para viteve të 90-ta dhe të gjendet një formë e pranueshme lidhur me këtë çështje.

“Në takimin e sotëm me kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të Universiteteve u vlerësua se është arritur të realizohet kërkesa e SBASHK-ut për nisje të dialogut me Qeverinë dhe kërkesa që të dihet lidhur me fatin e ligjit të pagave, dhe me vendim unanim u përkrahen vendimet e BSPK-së për angazhim dhe për t’i dhënë kohë Qeverisë që ta punojë ashtu si duhet e pa defekte versionin e parë të Ligjit të pagave dhe pas kësaj në kohën më të shkurtër të mundshme, e se largu në fillim të marsit të nisin takimet me sindikatat dhe pas kësaj deri në fund të muajit mars të përgatitet versioni final e të dërgohet në Qeveri për votim dhe të vazhdohet me proceduarat parlamentare”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se “në kuadër të angazhimeve dhe bashkëpunimit korrekt, SBASHK është takuar edhe me kryesinë e Këshillit të prindërve të Prishtinës, duke i falënderuar për angazhimin dhe duke i njoftuar për vendimet që janë marrë në takimin e BSPK-së me federatat dhe për takimin nga larg me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve”.

“BSPK-ja bashkë me federatat do të përcjell nga afër angazhimet e Qeverisë lidhur me këto tri çështje dhe nëse vëren se ka ngecje dhe vonesa, atëherë do të shpall veprime sindikale, që do të vlejnë për të gjitha Federatat anëtare”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Shpërndaje në: