Shamia në shkolla: Rritet presioni ndaj Kurtit, Ministria e Arsimit flet shkurt për Periskopin

Shamia në shkolla: Rritet presioni ndaj Kurtit, Ministria e Arsimit flet shkurt për Periskopin

Afro 10 mijë komente të ngjashme janë bërë në njërin prej postimeve të fundit të kryeministrit Kurti në Facebook, ku ai njoftoi për kalimin e rregullores së re të Kuvendit të Kosovës. Këto komente, kanë të njëjtën përmbajtje me ‘hashtagun’ që bën thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për shaminë – njëherit, një premtim i vitit 2017 i Albin Kurtit.

Kjo kampanjë, është nisur nga Durim Berisha (ish-këshilltar i Kurtit) dhe Liridon Kurti, të cilët kërkojnë ndryshimin e nenit 3 në Udhëzimin e miratuar në bitin 2014, që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla.

Periskopi ka pyetur Ministrinë e Arsimit, gjegjësisht, zëvendësministrin z.Dukagjin Pupovci, por morën një përgjigje të njëjtë që kjo Ministri është duke e dhënë për të gjitha mediat simotra.

“E kemi pranuar kërkesën formale dhe jemi duke e shqyrtuar. Kaq mund të them për momentin”, tha shkurt z.Pupovci për Periskopin.

Ndryshimin e nenit në udhëzim, po e kërkon edhe deputetja Duda Balje e cila në një prononcim për Periskopin thotë se nuk e kupton kryeministrin Kurti se pse është inferior ndajë kësaj çështjeje.

Znj.Balaj thotë se për këtë temë e ka pyetur edhe ministren Nagvci por që siç thotë ajo, kjo ministri asnjëherë nuk ka thënë jo, por që në të njëjtën kohë ‘nuk kanë marrë diçka për ndryshim të udhëzimit administrative. Asnjë përgjigje konkrete prej ministrisë nuk e kemi’.

“Për fat te keq, shumë here kemi hasur në këso tema edhe brenda komisionit të  drejtave të njeriut edhe faktikisht unë kam thirrë edhe ministren me pyet se ku është problemi,  domethënë edhe sot nuk kuptoj ata kurrë nuk kanë thënë jo, por asnjëherë nuk kanë marrë diçka për ndryshim të udhëzimit administrative. Asnjë përgjigje konkrete prej ministrisë nuk e kemi, në fakt kemi do sinjale, ku ministrja nuk don me ndryshu këtë udhëzim. Është kundër, edhe shumë është keq, edhe unë mendoj që ata kanë të drejtë, edhe secila vajzë që vendos me qitë shaminë në kokë ka drejtë me ba. E tash na nuk kemi ligj që është tu i ndalu këto, veç kemi udhëzim administrativ, ku ministria e ka nxjerrë në anën e ligjit. Nuk kuptoj bre pse, nuk kuptoj pse janë kundër. Unë muj me kuptu sepse nuk është moderne, sepse na si Kosovë duhet me qenë shumë modern edhe mos me leju kështu diçka por në fakt na jemi tuj shkelë në mundësinë e edukimit të vajzave. Domethënë nuk mundem kuptu pse Kurti është qaq inferior, nuk mundem kuptu. Pse janë kaq inferior dhe nuk shohin me bë zgjidhej për këtë.”, tha znj.Balje për Periskopin.

Derisa ende nuk dihet se kur Ministria e Arsimit do të dalë me një qëndrim konkret lidhur me këtë kërkesë të një pjese të konsiderueshme të popullit, ideja e tillë po has në kundërshtim nga figura të njohura në vendin tonë.

Për ish-ambasadorin e Kosovës, z.Lulzim Peci, kjo nismë ka ‘për qëllim futjen e islamit politik në institucionet e Kosovës’.

Peci përmes një reagimi në Facebook ka thënë se shpreson se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ.

“Shpresoj se Qeveria e Kosoves nuk do te beje nje gabim madhor duke e ndryshuar udhezimin administrativ qe ndalon bartjen e uniformes fetare – shamise ne shkolla, pasi me kete karakteri sekular i vendit tone do te goditet ne themel, e me kete edhe shtylla mbajtese e identitetit shqiptar ne vendin tone”, shkruan Peci në këtë postim.

Për profesorin Blerim Latifi, i cili po ashtu është kundër ndryshimit të këitj udhëzimi administrativ, heshtja e intelektualëve të Kosovës por edhe politikanëve poashtu për këtë temë, është e papranueshme.

“Dhe politikanët heshtin, sepse mendjen e kanë veç te pushteti i tyre personal, te votat, për të cilat janë në gjendje të koketojnë edhe me dreqin e me t’birin.

Heshtin edhe intelektualët! Disa nuk kanë guxim të flasin, sepse ndihen të frikësuar nga falangat digjitale vahabiste, e shumë të tjerë sepse e kanë shitë shpirtin.

Kështu çikat e Kosovës po bëhen viktimat e para të projektit perfid të Serbisë për t’i bindë ata që e mbajnë gjallë shtetin e Kosovës, botën perëndimore, se ky shtet nuk bëhet dot, sepse njerëzit e tij kulturalisht na qenkan anadollakë, e jo evropianë, prandaj, rrjedhimisht, çështja e statusit të Kosovës duhet të rihapet! Sepse një gjë dihet shumë mirë, prej kohësh: pas çdo “rizgjimi fetar” gjithmonë fshihen plane e synime politike”, ka shkruar z.Latifi në postimin e fundit në Facebook.

Kujtojmë se edhe Bashkësia Islame e Kosovës, me të nisur kjo fushatë, ka ripërsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës, për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ./Besarta Hoti/ Periskopi /

 

 

Shpërndaje në: