Shmanget për pak mbyllja e Qeverisë së ShBA-së, Kongresi miraton fondet

Periskopi.com Lajme

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj të përkohshëm për financimin e agjencive federale deri më 18 shkurt, duke e shmangur kështu mbylljen e kushtueshme të Qeverisë gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Me 69 vota për e vetëm 28 kundër, Senati i ShBA-së e përkrahi masën e miratuar më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Presidenti Joe Biden pritet që tani ta nënshkruajë atë, shkruan BBC.

“Më vjen mirë që, në fund, kokat më të ftohta triumfuan”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer.

Ky projektligj u miratua vetëm disa orë para se fondet do të pezulloheshin të premten. Kjo gjë do të linte pa paga miliona punëtorë të sektorit publik në periudhën e Kërshëndellave dhe Vitit të Ri, ndërsa muzetë dhe parqet do të mbylleshin.

Një grup i senatorëve republikanë kishin kërcënuar se do ta pengonin projektligjin për financim në shenjë proteste ndaj kërkesës së Presidentit Biden për vaksinim të detyrueshëm për punëtorët e kompanive të mëdha.

Megjithatë, përpjekja e tyre për t’i bashkëngjitur projektligjit një amendament që e parandalon nismën e vaksinimit u pengua nga demokratët.

Projektligji për financim u miratua më herët të enjten edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, që është dhoma e ulët e Kongresit. Megjithatë, përkrahja aty ishte me rezultat shumë më të ngushtë – 221 vota për e 212 kundër.