Shuplaka amerikane për Albin Kurtin në Shkup

Shuplaka amerikane për Albin Kurtin në Shkup

Shkruan: Ylli Pata 

Samiti i një muaji më parë i nivelit të lartë i NATO-s dhe i sotmi i BE-së, ku mori pjesë dhe njeriu i afërt i Joe Biden për Europën, në Shkup, ka një sinjal të qartë politik. Në Maqedoninë e Veriut, në 8 Maj zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.

E si SHBA, si BE, kanë shqetësimin se një vend i NATO-s mund të futet në fjalëkryqe të panjohura të lëvizjeve tektonike që nuk shkojnë kah Perëndimi, por nga Moska e Kina. Në Mal të Zi, një tjetër shtet i NATO-s, pjesë e shumicës në pushtet është një aleat direkt i Vladimir Putinit dhe i vasalit të tij Milorad Dodik të Republika Srbska, i cili mban postin numër dy të shtetit.

Në Maqedoninë e Veriut, ka të paktën 2 parti politike të qarta pro ruse e pro kineze, të cilat presin që të vijnë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Të dyja këto parti janë aleate e partisë nacionaliste VRMO-DPMNE(Lëvizja Revucionale për Kombin Maqedonas), e në Tetovë, por edhe në Gostivar, në zgjedhjet vendore, këto parti ishin në koalicion me opozitën shqiptare, sidomos në Tetovë me Besa-n e Bilall Kasamit, një parti filoislamike.

Këto dy parti flasin hapur kundër Perëndimit, ndërkohë që partia më e madhe e opozitës kundërshtoi të miratojë ndryshimet kushtetuese që bënin të mundur heqjen e vetos bullgare për Shkupin.

Para dy ditëve, Presidenti Joe Biden deklaroi hapur se një avancim i Putinit në Ukrainë, mund të bëjë që të hapet edhe fronti i Ballkanit nga ana e Moskës.

Albin Kurti, para pak muajsh, ka ndërhyrë në fushatën elektorale të Maqedonisë së Veriut, duke u bashkuar kundër Ali Ahmetit, e duke u bashkuar me tre partitë shqiptare, të cilat në zgjedhjet e shkuara kanë qenë aleatë të VRMO-DPMNE. Madje, Kurti ka regjistruar edhe degën e tij të Vetëvendosjes së Maqedonisë së Veriut në zgjedhje, siç bëri në Shqipëri në vitin 2021.

Mirëpo amerikanët, padyshim edhe BE, në një veprim të fuqishëm kanë detyruar Albin Kurtin që jo vetëm të jetë përkrah Ali Ahmetit në Shkup, por i kanë sjellë nga Beogradi edhe Aleksandër Vuçiç. Sinjal i qartë më shumë gjeopolitik e i drejtpërdertë drejtuar Vladimir Putinit. Ku jo vetëm nuk do të ketë devijim në Shkup, por edhe Beogradin e kontrollon fort Uashingtoni e Brukseli.

Sa për Albin Kurtin flasin vetë edhe pamjet e shpërndara nga takimet. Ku e kanë detyruar që të bëjë fushatë për kundërshtarin e Vetëvendosjes së Shkupit. E kjo ka një logjikë politike, ngaqë BDI e Ali Ahmetit, që prej vitit 2001, ka qenë aleat i palëvizshëm i Perëndimit në Maqedoninë e Veriut, madje në vitin 2016 u tregua qartë, edhe ku u kërcënuan fizikisht e politikisht. Jo vetëm nga Moska e Beogradi, por edhe nga Tirana e Prishtina. Ku aleatët e Ilir Metës i kërkuan që të bëjë aleancë me Nikolla Gruevskin, ndryshe nga kërkesa e SHBA dhe BE.

Shpërndaje në: