Si e mposhti NISMA e vogël Vetëvendosjen e madhe?

Si e mposhti NISMA e vogël Vetëvendosjen e madhe?

Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate, kanë kaluar një javë replikash të ashpra mes njëra-tjetrës, por edhe ‘beteja ankesash’ nëpër organe juridike. Por ‘fitorja’ e Nismës ndaj Vetëvendosjes në PZAP dhe Supreme nuk i heshti të dyja partitë. Ato kanë vazhduar me akuza dhe kundër-akuza edhe ditën e sotme, kur në Qendrën e Numërimit, tashmë ka filluar rinumërimi i mbi 1400 vendvotimeve si dhe  kur Supremja tashmë ka vendosur që votat e Serbisë, të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.  Ku e ka fillin ky ‘lëmsh’ mes Vetëvendosjes dhe Nismës dhe si e mposhti Nisma e vogël Vetëvendosjen e madhe?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në fillim të kësaj jave pranoi ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD për votat nga Serbia. Miratimi i kësaj ankese, lë përfundimisht jashtë rezultatit zgjedhor të 6 tetorit, votat e ardhura nga Serbia. Në këtë mënyrë, koalicioni Nisma – AKR kalon pragun zgjedhor dhe bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Por ndaj këtij vendimi të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht tre kandidatë për deputetë të kësaj partie: Alban Hyseni (VV), Arta Baraliu (VV) dhe Enver Haliti (VV), u ankuan në Gjykatën Supreme. Rrjedhimisht, i bie që kandidatët të cilët u ankuan në Supreme, janë emra të cilët mbeteshin jashtë Kuvendit, pra nuk bëheshin deputetë, nëse nuk njiheshin votat nga Serbia.

Por Gjykata Supreme, hodhi poshtë këto ankesa, duke lënë kështu jashtë rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, votat e ardhura nga Serbia.

Në vendimin e Supremes, thuhej që kandidatëve të VV-së “nuk u është cenuar e drejta për të zgjedhur, pasi të njëjtëve u është dhënë mundësia për të votuar dhe për të zgjedhur dhe për të kandiduar për deputetë, mirëpo në rastin konkret, rezulton se fletëvotimet nga Republika e Serbisë nuk kanë arritur në KQZ në mënyrë të rregullt dhe në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së”.

Akuzat dhe kundër-akuzat para kësaj ankese të VV-së dhe vendimit të Supremes

Ankesa e kandidatëve për deputetë të Vetëvendosjes në Supreme, do të ishte zanafilla e akuzave dhe kundër akuzave të ashpra mes partisë VV dhe Nisma. Kjo e fundit, do ta akuzonte Vetëvendosjen për ‘grabitje votash’ dhe ‘hipokrizi’, e cila, kur dikur moti protestonte, kishte parulla të njohura si ‘Serbia nuk kalon’.

Në media, do të qarkullonte edhe deklarata e përfaqësuesit të Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, i cili në një mbledhje të këtij organi zgjedhor, ishte decidivisht kundër votave të ardhura nga Serbia dhe pas disa ditësh, bashkëpartiakë të tij do të ankoheshin për të kundërtën.

Ankuesi befasues: Nenad Rashiq & Akuzat për pazarllëqe

Diçka që ngjalli edhe më shumë replika mes partive, ishte edhe kur u bë e ditur se mes ankuesve në Supreme kundër vendimit të PZAP-së, ishte edhe Nenad Rashiq nga Partia Progresive Demokratike.  Ankesa e tij, u refuzua nga Supremja ashtu si ankesat tjera, veçse me arsyetimin “se nuk ka interes juridik për paraqitjen e saj, ngase me vendimin e ankimuar nuk janë shkelur të drejtat themelore”.

Rashiqi befasoi sepse ishte i njëjti që më 8 nëntor 2019, në një emision televiziv në Kosovë, pati deklaruar se ‘votat e serbëve grumbullohen në Nish dhe bëhen fletëvotime false’.

Kjo shtyri që Nisma të akuzonte Vetëvendosjen për ‘pazarllëqe’ me Rashiqin:

“Kërkesa e një koalicioni politik të serbëve të Kosovës që të mos pranoheshin fletëvotimet e falsifikuara ishte plotësisht e drejtë. Ajo që në shikim të parë nuk kuptohet sot është ndryshimi i qëndrimit të Nenad Rashiqit dhe ankesa e tij drejtuar Gjykatës Supreme që të konsiderohen të ligjshme fletëvotimet e falsifikuara ku koalicioni “Slloboda” nuk ka asnjë votë të vetme, sepse mbushja 100% e këtyre fletëvotimeve fals janë për Listën Serbe!!!” Ky paradoks nxjerr në shesh pazarllëqet e LVV-së me Nenad Rashiqin. Cilat janë pazarllëqet e tyre nga takimet që kanë pasur do të tregojë koha. Por as Serbia, as Lista Serbe, as Nenad Rashiqi e as LVV-ja dhe as pazarllëqet e tyre nuk do të mund të shkelin mbi ligjet e Kosovës dhe nuk do të mundin ta nëpërkëmbin vullnetin politik të mbi 42 mijë qytetarëve të Kosovës”, thuhej në reagimin e Nismës.

E Vetëvendosje si parti nuk reagoi ndaj kësaj akuze të Nismës, por ishte një nga deputetet më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, Albulena Haxhiu, e cila do të shkruante kësisoji:

“Sot kuptova që Lista Serbe nuk është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it.A thua pse? Limaj e Sherifi, para se të shpifin kundrejt Lëvizjes, le të na tregojnë pazarin që e kanë bërë me Listën serbe. Kot e keni. Pazari nuk kalon”, shkruante Haxhiu në Facebook.

Akuzat e së premtes mes Nismës dhe VV-së

Paraditen e së premtes (15 nëntor 2019), Nisma Socialdemokrate është ankuar se vëzhguesit e saj kanë vërejtur parregullsi dhe sipas tyre, po përballeshin me presione nga anëtarët e Vetëvendosjes.

  “Ne si parti politike, vazhdimisht jemi duke përcjellë këtë zhvillim, dhe gjatë gjithë këtyre ditëve të rinumërimin, vëzhguesit kanë vërejtur shumë parregullsi dhe janë ballafaquar me presione të ndryshime nga anëtarët e LVV-së në KQZ”, thuhet në komunikatën e Nismës. Përfaqësuesit e LVV-së në KQZ, përkatësisht znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi vazhdimisht kanë ndërhyrë në tavolinat ku po bëhet rinumërimi i votave, duke kërcënuar dhe shantazhuar stafin dhe vëzhguesit e angazhuar në QNR. Të apostrofuarve më lartë nuk ju mjafton presioni mbi punëtorët e QNR-së dhe vëzhguesit e partive tjera, ata ndërhyjnë edhe fizikisht në fletëvotime”, thuhej veç tjerash në njoftimin e Nismës.

Pas kësaj, Periskopi kishte kontaktuar me zëdhënësin e Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i cili kishte hedhur poshtë këto pretendime të Nismës Socialdemokrate. Por fjalori po ashpërsohej në arenën e rrjeteve sociale, mes zyrtarëve të VV-së dhe atyre të Nismës, ku palët do të akuzonin njëra tjetrën edhe për ‘ngucje seksuale’ e ‘orgji seksuale’.

Ndërkaq në orës e pasdites, Vetëvendosje edhe një herë ka akuzuar Nismën, duke mos ia përmendur emrin por duke aluduar qartazi në të, se po bën presion ndaj KQZ-së.

Kjo parti, përveç Nismën, do të akuzonte edhe PZAP-në dhe Gjykatën Supreme si të ndikuara politikisht.

“Është evidente, që zyrtarë e gjyqtarë të institucioneve janë ndikuar politikisht në marrjen e vendimeve të fundit, me synim ndryshimin në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja Vetëvendosje është duke mbledhur fakte e prova të ndërhyrjes politike në marrjen e këtyre vendimeve dhe ne do të sigurohemi që të gjithë këta zyrtarë të përfshirë në këto ndërhyrje për vendime që do të duhej të ishin të bazuara në ligj e Kushtetutë, do të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Por, derisa të dy partitë vazhdojnë me akuza ndaj njëra-tjetrës, në QNR po rinumërohen mbi 1400 vendvotime dhe me votat e anuluara nga Serbia – sipas vendimit të Supremes – Nisma bëhet pjesë e Kuvendit. Vetëvendosje do t’i ketë 3 deputetë më pak, LDK një deputet më pak, PDK një deputet më pak dhe AAK-PSD një deputet më pak. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: