Si zhvillohen vendet dhe debati mbi “Sunny Hill”

Si zhvillohen vendet dhe debati mbi “Sunny Hill”

Debatet e këtyre ditëve mbi zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, janë përqendruar kryesisht mbi emrat e përveçëm të personazheve publike të përfshirë në të. Debatet, ama, duket se kanë mënjanuar një detaj edhe më të rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit dhe seriozitetin e qëndrueshmërinë e institucioneve: arsyet se pse ky proces ndodh diku e ndalon diku tjetër.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e ardhur në pushtet në vitin 2013, tashmë ka bërë publik, nëpërmjet veprimeve, e jo detyrimisht fjalëve, modelin e saj për zhvillimin e vendit. Sipas këtij modeli, qeveria, nëpërmjet lehtësive të shumta që u fal një grupi të ngushtë sipërmarrësish lokalë, do ta kthejë vendin në një parajsë turistike. Është sërish qeveria që do të kryejë promovimin e kësaj parajse nëpërmjet pranisë së vazhdueshme të Kryeministrit në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.  Në zhvillimin e këtij procesi, koncepte si barazi ligjore, të drejta të barabarta, e drejta e pronësisë, procese ligjore, institucione të pavarura, janë të bezdisshme, të panevojshme dhe ndalojnë progresin e madh që Qeveria po skicon për të ardhmen e vendit. Ajo çka i përmbledh të gjitha këto ide është parimi kryesor se Qeveria, ose thënë më thjesht Kryeministri dhe vetëm ai, është përgjegjës dhe ka mundësitë për të zhvilluar vendin. Kontributi i njerëzve të zakonshëm në këtë proces konsiderohet i papërfillshëm.

Për të mbrojtur këtë model janë angazhuar prej kohësh një sërë argumentesh publike, së bashku me figura mediatike, që i përmendin dhe i shpërhapin ato prej vitesh. Sipas këtyre argumenteve, burimet e financimit prapa shpërthimit të ndërtimeve në vend janë të parëndësishme. Thithja e fondeve, qoftë edhe me origjinë kriminale, është një hap i rëndësishëm për të zhvilluar një vend. Angazhimi i qeverisë për të përvetësuar e më pas për të falur trojet më të rëndësishme të vendit është i justifikuar, pasi njerëzit e zakonshëm nuk kanë kapitale të mjaftueshme për t’i zhvilluar ato. Artikujt në media ndërkombëtare, edhe kur e zbukurojnë realitetin shqiptar, nuk duhen kundërshtuar, pasi investitorë të rëndësishëm po përthithen prej tyre.

Ky model i zhvillimit të një vendi nuk është as i rrallë, as i rastësishëm. Në fakt, është modeli më i zakonshëm gjatë historisë së njerëzimit. Monarkitë absolute dhe regjimet feudale, që kanë qeverisur botën për shumicën e historisë, kanë ushtruar të njëjtat të drejta, duke pretenduar se zhvillimi i një vendi vjen vetëm nëpërmjet drejtuesve të tij. Është një model që ende sot mbrohet nga institucione ndërkombëtare, apo agjenci ndihmash, të cilat bashkëpunojnë me qeveritë e vendeve përkatëse, por jo me shoqëritë e vendeve që duhet të ndihmojnë.

Është gjithashtu një model kryekëput i gabuar dhe i lënë prapa nga historia ekonomike e 200 viteve të fundit! Rezultatet e tij në Shqipëri sot janë të qarta. Jo vetëm që vendi nuk ka thithur investime të huaja të rëndësishme gjatë këtyre viteve, por prej tij janë larguar një sërë kompanish të rëndësishme ndërkombëtare. Të ardhurat për frymë e renditin Shqipërinë ende mes vendeve të fundit të kontinentit. Thuajse çdo raport ndërkombëtar e cilëson vendin të papërshtatshëm për të investuar apo për të kryer biznes.

Falë vuajtjeve dhe përpjekjeve të disa shoqërive dhe punës së palodhur të kërkuesve të historisë dhe ekonomisë që i kanë dokumentuar ato, sot njerëzimi ka një ide më të qartë për arsyet që krijojnë zhvillim ekonomik afatgjatë e të qëndrueshëm. Shoqëritë e zhvilluara të botës sot nuk e kanë arritur atë nivel, falë punës së palodhshme të një lideri të rrallë e të papërsëritshëm. Përkundrazi, vendet e zhvilluara janë ato ku drejtuesit politikë zëvendësohen me shpeshtësi shumë herë më të madhe krahasuar me vendet e varfra. Përpjekjet shekullore të këtyre shoqërive kanë bërë që e drejta e pronës dhe barazia para ligjit të jenë koncepte të shenjta e të paprekshme. Projekte zhvillimore ndalen për vite e dekada, apo edhe pezullohen, rëndom nga gjykata të ndryshme, sa herë që këto të drejta preken edhe për qytetarin më të thjeshtë të vendit. Mbi të gjitha, statistikat tregojnë se shumica e punësimit, inovacionit, zhvillimit kryhet nga kompani të vogla, të cilat më shumë se kushdo, lulëzojnë kur të drejtat ekonomike dhe barazia para ligjit respektohen, e jo kur ato shkelen për të favorizuar kompani apo individë, sado të famshëm apo të njohur të jenë ata.

Është ende herët për të thënë nëse Kosova do të ndjekë modelin shqiptar, apo modelin e vendeve të zhvilluara. Shenjat e këtyre viteve të bëjnë të besosh se pushteti i centralizuar përreth një grupi të ngushtë individësh do të jetë i vështirë të realizohet në Kosovë, në atë përmasë siç ka ndodhur në Shqipëri, e megjithatë rrugëtimi është ende i gjatë. Ajo që mund të thuhet me shumë siguri është se e ardhmja e vendit nuk do të përcaktohet nga dhënia ose jo e një kontrate koncesionare për përdorim ekskluziv të 17 hektarëve tokë publike për 99 vjet.

Kjo kontratë koncesionare i ngjan modelit të aplikuar në Shqipëri, i cili nuk ka prodhuar as zhvillim, as përmirësim imazhi e as rritje të investimeve publike. Në refuzimin e saj, Kosova nuk ka hedhur poshtë asgjë nga zhvillimi i ardhshëm i saj, por na ka ndihmuar të kuptojmë sa të ndryshme janë rrugëtimet institucionale, politike dhe ekonomike që po marrin dy shtete shqiptare në Ballkan. /Opinion nga Monitor.al

Shpërndaje në: