Skandali me ambalazhues të ujit: Gjykata hedh poshtë padinë e Naser Hafizit ndaj Periskopit
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë si të palejueshme padinë e Naser Hafizit ndaj Periskopit, lidhur me publikimin e artikullit “Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut me Naser Hafizin dhe me prodhuesit e ujit në Kosovë”.
Naser Hafizi më datë 19.07.2024 ka parashtruar padi ndaj Periskopit me “arsyetimin për shpifje dhe fyerje”.
“Gjykata pas shqyrtimit dhe vlerësimit të provave që gjenden në shkresat e lëndës, erdhi në përfundim se padia e paditësit për kompensim dëmi është e pasafatshme”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës.



Skandali tashmë i njohur me ambalazhues të ujit në Kosovë, ku i përfshirë është Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal te Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke u shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.
Në hulumtimin e Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.
Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.
Për më shumë lexoni lajmin e plotë:



